“Betimi për Drejtësi” të shtunën ka transmetuar hulumtimin me titull “Si ish-prokurori Metush Biraj dyshohet se mori ryshfet për të dështuar aktakuzën për 130 kilogramë marihuanë”.
Në hulumtimin e publikuar nga “Betimi për Drejtësi”, ishte treguar se si pesë vjet të procesit hetimor dhe gjyqësor për gjykimin e tre ish-akuzuarve: Naim Osmanit, Ukë Sadrijajt dhe Arbër Salihut, për tentim transportimin e 130 kilogram marihuanë në Zvicër, kishin shkuar dëm, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Kjo pasi me 31 maj të këtij viti, prokurori i rastit, Metush Biraj, tani avokat u tërhoq nga ndjekja penale me pretendimin se nuk kishte fakte të mjaftueshme.
Prokurori Biraj, ishte tërhequr nga aktakuza gjatë zhvillimit të seancës në fjalën përfundimtare dhe atë vetëm 3 ditë para se merrte vendim gjykatësja e rastit, Teuta Krusha, për dënimin apo lirimin e tyre. Gjithashtu, tërheqja nga aktakuza ishte bërë para se prokurori Biraj të pensionohej dhe të dilte si avokat.
“Betimi për Drejtësi” nga burime të veta kishte siguruar një video-dëshmi, ku zhvillohen biseda për të ndikuar në rastin e drogës, në mes ish- prokurorit Biraj dhe Shkodran Pulaj, në lokalin “Kosova” që gjendet përball objektit të Prokurorisë Themelore në Prizren.
Në këtë video-incizim, ish-prokurori Biraj në bisedë me Pulaj, kishte thënë se i ka zbehur provat. “Jo bre. Ti ti (nuk kuptohet). Kqyre ti, ngo ti, unë kom thanë nëse vjen puna, nëse vjen aty mirë e ki për me u tërhek, mirëpo çfarë dobie ka ai unë për me u tërhek, kur unë de fakto unë krejt provat i’a kam zbeh?”, kishte thënë ish-prokurori Biraj.
Gazetarja e “Betimi për Drejtësi”, Alberta Hashani ishte paraqitur në zyrën ku tashmë e ushtron profesionin e avokatit, Biraj, ku përveç detajeve të video-incizimit, Biraj ishte pyetur edhe për “Zbehjen e provave”.
Por, përgjigja e ish-prokurorit Biraj, lë shumë për të dëshiruar.
Çfarë thotë ish-prokurori Biraj për “zbehje të provave”, ndiqeni video-incizimin në bisedë me gazetaren Alberta Hashani?
Gazetarja: E pse ja pranoni ju atij që keni tentu me i zbeh provat dhe realisht ju thoni që i keni zbeh maksimalisht provat për me i dënu tre të akuzuarit.
Prokurori Biraj: Ky rast që po thoni ju nuk ka të bëjë me këtë rast fare.
Gazetarja: Me cilin rast ka të bëjë.
Prokurori Biraj: Është një rast tjetër, nuk kemi çka me komentu ma tepër.
Gazetarja: Me cilin rast ka të bëjë?
Gazetarja: E qysh ju i keni zbeh provat në një rast tjetër a?
Prokurori Biraj: Jo, s’kemi zbehë bo vaki ai kontesti i fjalisë qysh oshtë se.
Gazetarja: Ju thoni se nuk ka që qysh me i dënu gjykatësja Teuta, për shkak se i keni zbeh maksimalisht provat.
Prokurori Biraj: Jo, është fjala bo vaki është kontekti i fjalisë a për ndryshe nuk ka këtu të bëjë me zbehje të provave.
Gazetarja: Ç’konteskt i fjalisë e arsyeton faktin që ju si prokuror i keni zbeh provat?
Prokurori Biraj: Jo, jo është fjala që qysh em thanë jonë zbeh qysh me thanë ëëë, pretendimet e qysh me thanë tash, qysh me formulu që mos me pas keqkuptime. Është fjala mos u kanë bo vaki konteksti i bisedës rreth të kalum kriminale të personave, edhe ashtu unë s’ke pas s’ke pas të kalume kriminale edhe në atë farë kuptimi e kom shpreh unë tani që që zbehje e pretendimeve të mija ndoshta s’ka lidhje.
Konteksti
Gazetarja: Ju thoni që i keni zbeh maksimalisht provat. Puna e juaj si prokuror është me i zbeh provat në dobi të të akuzuarve apo me e vu drejtësinë në vend?
Prokurori Biraj: Ja ja nuk ka mundësi me i zbeh provat, se prova si ka me u zbeh, nëse është prova është provë.
Gazetarja: Na tregoni ju qysh i keni zbeh provat?
Prokurori Biraj: Unë s’di.
Gazetarja: Çka nënkupton për juve zbehja e provave
Prokurori Biraj: Heeeh, kolege, në kuptimin që unë bo vaki aty mos u kanë naj farë s’di që kam zbeh provë./BetimipërDrejtësi
Emisionin e plotë mund ta shikoni duke klikuar KËTU