27-07-2024

Prizren: Ç’solli gjykimi ndaj ish-drejtorit komunal të Shërbimeve Publike?

Eksperti i prokurimit, Visar Bibaj, ka konstatuar se deponia në fshatin Zhur nuk ka qenë objekt i kontratës për tenderin “Furnizim me zhavorr për rrugët e asfaltuara në Komunën e Prizrenit”, në rastin ku ish-drejtori i Shërbimeve Publike në Prizren, Osman Krasniqi po akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Krasniqi po akuzohet se duke vepruar jashtë objektit të kontratës për tenderin “Furnizim me zhavorr për rrugët e asfaltuara në Komunën e Prizrenit”, i ka mundësuar operatorit ekonomik “Eurovia BI” në kuadër të kontratës të shuajë zjarrin përmes transportimit dhe hedhjes së dheut në deponinë e fshatit Zhur, e cila nuk ka parashikuar pozicionin e transportit dhe hedhjes së dheut për shuarjen e zjarrit në deponi. Sipas aktakuzës dëmi i shkaktuar Komunës së Prizrenit është rreth 280 mijë euro, raporton “Betimi për Drejtësi.

“Sipas provave të përshkruara edhe në raport siç është ditari i punës së operatorit ekonomik të kontraktuar, tutje është urdhrat për transport të dheut në deponinë e fshatit Zhur, i datës 30 mars 2021 dhe ai i datës 16 korrik 2021, rezulton që për këtë procedurë të prokurimit është dalë jashtë objektit të kontratës duke u përdorur pozicioni i ofertës financiare të pikës C, transporti i materialeve deri te vendi i caktuar për rrugët e Komunës së Prizrenit”, tha Binaj.

Eksperti theksoi se ky pozicion ligjërisht ka të bëjë me transport të materialeve për realizim të objektit të kontratës dhe se deponia e Zhurit nuk ka qenë objekt i kontratës.

“Pra, ky pozicion ligjërisht ka të bëjë me transport të materialeve për realizim të objektit të kontratës, siç janë gypat ose ndonjë material tjetër varësisht prej punëve që realizohen në terren, ndërsa deponia e fshatit Zhur nuk ka qenë objekt i kontratës”, shtoi ai.

Duke u përgjigjur në pyetjen e prokurorit Mehdi Sefa, lidhur me atë se kush ka urdhëruar që punët të kryhen jashtë objektit të kontraëts, eksperti Bibaj ka thënë se urdhrat janë nxjerrë nga menaxheri i projektit, drejtori i shërbimeve publike në atë kohë.

Bibaj ka thënë se në rastin konkret, është emëruar drejtori i shërbimeve publike si menaxher i kontratës, për këtë procedurë të prokurimit dhe se në atë kohë këtë pozitë e ka pasur i akuzuari Krasniqi.

Sipas tij, i akuzuari Krasniqi është dashur ta njoftojë zyrën e prokurimit dhe Zyrtari Kryesor Administrativ të Komunës së Prizrenit dhe të kërkojë vendim specifik për aktivitetin përkatës.

Më pas, seanca e sotme është ndërprerë me kërkesën e ekspertit Bibaj, pasi i njëjti tha se ka obligime në Prishtinë dhe ka kërkuar që kjo seancë të vazhdojë për një datë tjetër.

Këtë kërkesë, e ka aprovuar kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Raima Elezi, kurse seancat e radhës për këtë rast i ka caktuar të mbahen më 8 dhe 15 dhjetor 2023.

Ndryshe, aktakuza e Prokurorisë Themelore në Prizren, e ngritur më 9 nëntor 2022, e ngarkon Osman Krasniqin se më 8 prill 2021 deri më 5 maj 2021, në kohë të pacaktuar, si drejtor i shërbimeve publike në Komunën e Prizrenit ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare me qëllim të përfitimit pasuror për operatorin ekonomik “Eurovia BI”, me seli në Prizren.

Ai akuzohet se si menaxher i kontratës në tenderin “Furnizim me zhavorr për rrugët e paasfaltuara në Komunën e Prizrenit”, nxjerr urdhra për “Eurovia BI” që në kuadër të kontratës të shuaj zjarrin përmes transportimit dhe hedhjes së dheut në deponinë e fshatit Zhur, i ka mundësuar operatorit ekonomik “Eurovia BI” përfitim pasuror përmes kontratës, e cila nuk ka parashikuar pozicionin e transportit dhe hedhjes së dheut për shuarjen e zjarrit në deponi.

Sipas prokurorisë, Krasniqi akuzohet se i ka pranuar faturat dhe ka mundësuar pagesat nga pozicioni i paraparë sipas pikës C shërbime me zhavorr në vlerën prej 8.02 euro për njësinë matëse m3 në kundërshtim me objektin dhe pozicionet e kontratës, në të cilin ka qenë menaxher, duke anashkaluar zyrën e prokurimit, ashtu që dëmton buxhetin e Komunës së Prizrenit për shumën totale prej 247 mijë e 360 euro e 40 centë.

Në aktakuzë, thuhet se me këto veprime, i akuzuari ka vepruar në kundërshtim me ligjin e prokurimit publik me nr. 04/1-042 i ndryshuar dhe plotësuar me ligjet 04/L-237, 05/L-68 dhe 05/L-092 si dhe në kundërshtim me rregullat e udhëzuesit operativ për prokurim publik RRUPP dhe atë nenet 19, 20 dhe 61.

Krasniqi, për këto veprime po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, par.2 i KPRK-së, vepër penale e cila dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre deri në 10 vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.