18-05-2024

Prizren: Ç’solli gjykimi ndaj ish-inspektorit që njoftoi punëtorin e marketit për mbylljen e lokalit para se ta inspektonin

Ish-inspektori i sanitarisë në Prizren, Albrim Poniku ka dhënë mbrojtjen e tij, ku ka mohuar se punëtorin e market “Vrrini” e njoftuar për mbylljen e marketit gjatë inspektimit në kohën e pandemisë.

Këtë deklarim, Poniku e ka bërë të premten, në Gjykatën Themelore në Prizren, ku po akuzohet se në cilësi të inspektorit Agjencionit të Ushqimit dhe Veterinarisë, nga telefoni i tij i ka dërguar Besart Bytyqit punëtor në market “Vrrini” një SMS, me përmbajtje “ej mshile se po vina ka ti” me ç’rast market “Vrrini” përfiton përparësi për mos t’u gjobitur për shkak të mosrespektimit të vendimit të Qeverisë.

“Nuk më kujtohet përmbajtja e mesazhit, por atë mesazh e kam dërguar me qëllim që të shkoj tek ai të pijë kafe, në shtëpi”, ka thënë Poniku, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I akuzuari Poniku deklaroi se qëndron në tërësi pranë deklaratës në polici dhe prokurori.

I njëjti ka thënë se ditën kritike së bashku me kolegët e tij pas orës 22:00, kanë shkuar tek market “Vrrini” në fshatin Vlashne për të kryer kontroll.

Poniku tha se lokali “Vrrini” ishte i hapur dhe se me këtë rast i kanë shqiptuar gjobë në shumën prej 200 euro.

Po ashtu, ai tha se të njëjtit lokal i kishin vendosur blombë zyrtare.

Duke u përgjigjur në pyetjet e kryetares së trupit gjykues, Raima Elezi, Poniku tha se sipas kontratës ka punuar nga 1 shtatori 2021 deri më 3 shtator 2021.

Ai ka treguar se Agjencioni i Ushqimit dhe Veterinarisë nuk ka zhvilluar ndonjë procedurë disiplinore ndaj tij dhe se nuk ka marrë asnjë vendim për largimin nga puna.

Në fund, Poniku ka thënë se ndjehet i pafajshëm për veprën penale për të cilën ngarkohet.

Paraprakisht, në këtë seancë është bërë edhe leximi i shkresave të lëndës.

Seanca e sotme është ndërprerë për shkak përfundimit të orarit të punës, kurse ajo e radhës është caktuar të mbahet më 10 korrik 2023.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prizren, i akuzuari Albrim Poniku, po ngarkohet se më 3 shtator 2021 në cilësi të personit zyrtar, e keqpërdorë informatën zyrtare, me qëllim që për personin tjetër të përfitojë ndonjë përparësi që nuk i takon,

Sipas aktakuzës, Poniku në cilësi të inspektorit të Agjencionit të Ushqimit dhe Veterinarisë, në momentin kur kupton se janë duke shkuar të bëjnë inspektimin e market dhe qebaptoren “Vrrini”, e cila gjendet në afërsi të fshatit Vlashne, lidhur me respektimin e orareve të punës në situatë të pandemisë COVID-19 të përcaktuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, njofton punëtorin e këtij marketi, informatë në të cilën është qasur si rezultat i detyrës së inspektorit, e cila informatë nuk ka qenë publike.

Tutje, sipas aktakuzës i akuzuari Poniku nga telefoni i tij i dërgon Besart Bytyqit punëtor në market “Vrrini” një SMS, me përmbajtje “ej mshile se po vina ka ti” me ç’rast market “Vrrini” përfiton përparësi për mos t’u gjobitur për shkak të mosrespektimit të vendimit të Qeverisë.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i informatës zyrtare” nga neni 416, par.1 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.