Prizren: Ç’solli gjykimi ndaj të akuzuarve se organizuan gara automobilistike ku vdiqën tre persona
Në seancën e së mërkurës, në Gjykatën Themelore në Prizren, i akuzuari Arlind Syla ka pranuar fajësinë, ndërsa i akuzuari Irfan Hoti nuk ka pranuar fajësinë, në rastin ku të njëjtit po akuzohen për organizimin e garës automobilistike në dhjetor të 2023-ës në autostradën “Ibrahim Rugova” në Prizren, ku mbetën të vdekur tre persona.
Pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit, Genc Nixha, të pyetur nga kryetarja e trupit gjykues Ajsera Skenderi lidhur me pranimin e fajësisë, i akuzuari Arlind Syla ka deklaruar se pranon fajësinë, ndërsa i akuzuari tjetër Irfan Hoti ka deklaruar se ndjen keqardhje për rastin dhe se nuk pranon fajësinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Më vjen keq për atë se çka ka ndodhur, por nuk pranoj fajësinë”, tha i akuzuari Hoti.
Por, pranimi i fajësisë nga Syla është refuzuar nga gjykatësi Skenderi me arsyetimin se kemi të bëjmë me veprën penale të kryer në bashkëkryerje.
Në fjalën hyrëse, prokurori Nixha ka deklaruar se mbetet në tërësi pranë aktakuzës së ngritur, duke u bazuar në ekspertizën e trafikut rrugor, mbi ekspertizën e gjendjes teknike të automjeteve, ekspertizën e trafikut rrugor si dhe të ekspertit mjeko-ligjor Burim Morina, si dhe raportet e autopsisë të viktimave L.S, N.B dhe M.D., raportet policore të cilat do të vërtetojnë zhvillimin e garës nga të akuzuarit.
Ndërsa, përfaqësuesja e palës së dëmtuar Emin Delia, avokatja Edona Sina, në fjalën hyrëse ka deklaruar se mbështet fjalën e prokurorit, duke shtuar se të akuzuarit nuk kanë asnjë lloj pendese për atë se çfarë ka ndodhur dhe se i akuzuari Hoti vazhdon ende ngasjen e njëjtë nëpër qytet, duke theksuar se për familjen Delija mbetet një situatë e rëndë kur sheh një situatë të tillë.
Ajo gjithashtu ka shtuar se është dëshmuar se edhe me dhjetëra kundërvajtje për mënyrën e ngasjes së të akuzuarve nuk kanë pasur asnjë rol pozitiv në ndryshimin e sjelljes së të akuzuarve.
E njëjta tha se gjykimi është shpresë për drejtësi për familjen Delija dhe gjithashtu në përçimin e mesazhit në shoqëri lidhur me sa jemi të mbrojtur ne si qytetarë nga personat të cilët ngasin automjete në këtë mënyrë.
Ndërsa në fjalën hyrëse, i dëmtuari Leutrim Syla, deklaroi se nga shkresat e lëndës do të vërtetohet se Irfan Hoti, edhe pse duke e vozitur veturën e të ndjerit Nue Bibaj, pas aksidentit të shkaktuar, i njëjti nuk është ndalur të ofrojë ndihmë.
“Përkundrazi, ai ka ikur nga vendi i ngjarjes, duke lënë veturën e të ndjerit në një parking “Shell”, ku e konsiderojmë se në fund do të kemi nevojën për plotësimin e dispozitivit të aktakuzës për veprën penale “mosdhënia e ndihmës””, tha ai.
Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Syla, avokati Muhamet Shala, deklaroi se i mbrojturi i tij ka pranuar fajësinë, edhe pse është refuzuar nga ana e gjykatës për shkaqe procedurale, duke shtuar se në rrethana të tilla i akuzuari nuk mund të bëjë më shumë se të pranojë fajësinë për atë që po akuzohet.
Në fjalën hyrëse, mbrojtësi i të akuzuarit Irfan Hoti, avokati Blerim Mazreku, ka deklaruar se sipas provave të propozuara do të vërtetohet se, në kundërshtim me ligjin, kanë vepruar edhe 50 persona të tjerë, të cilët kanë qenë pjesëmarrës si shikues brenda trafikut.
Ai gjithashtu shtoi se në shkresa nuk ka asnjë provë që të vërtetojë se Irfan Hoti ka organizuar ndonjë garë automobilistike të jashtëligjshme dhe se të gjithë dëshmitarët e propozuar nga ana e prokurorisë kanë sqaruar se nuk kanë qenë pjesë e ndonjë takimi lidhur me caktimin e ndonjë gare.
Ndërkaq, i dëmtuari, në cilësinë e dëshmitarit, Bellmando Pali, në pyetjet e prokurorit Nixha tha se qëndron pranë deklaratës së dhënë në prokurori. Ai tha se se në natën kritike është takuar te garazha e të akuzuarit Syla me të ndjerin L.S dhe se janë nisur në drejtim të Prizrenit.
Gjithashtu, ai ka treguar se vetura e tij ka marrë pjesë në garë, të cilën e ka ngasur i akuzuari Syla me pretekstin se është një vozitës më i mirë. Ai ka theksuar se me të njëjtin kanë pasur dhe ende kanë marrëdhënie shoqërore.
Po ashtu, ai deklaroi se gjatë garës akuzuarit Hoti dhe Syla, kanë humbur kontrollin e makinave, duke shkaktuar aksidentin, ku si pasojë, ai është goditur dhe ka mbetur pa ndjenja.
Tutje, i dëmtuari në cilësinë e dëshmitarit, Megjit Zena, ka deklaruar se me të akuzuarin Hoti janë në lidhje familjare dhe, i pyetur nga prokurori, ka deklaruar se qëndron pranë deklaratës së dhënë në prokurori.
I pyetur nga pala e dëmtuar, Leutrim Syla, në lidhje me atë nëse i akuzuari Hoti ka qenë pjesë e garës, ai ka deklaruar se i njëjti ka qenë garues në natën kritike dhe gjithashtu ka shtuar se gara ka qenë e organizuar nga i akuzuari Syla.
Edhe i dëmtuari Sabir Zena, në cilësinë e dëshmitarit, ka deklaruar se me të akuzuarin Hoti ka lidhje familjare, duke theksuar se qëndron pranë deklaratës së dhënë në prokurori.
Sipas aktakuzës së ngritur më 2 maj 2024 nga Prokuroria Themelore në Prizren, më 16 dhjetor 2023, rreth orës 22:30, në autostradën “Ibrahim Rugova” në Prizren, nga aksi rrugor “Prizren-Veri” në drejtim të aksit rrugor “Prizren-Jug”, ku shpejtësia e lejuar e lëvizjes është 120 km/h, të akuzuarit Arlind Syla dhe Irfan Hoti në bashkëkryerje veprojnë në kundërshtim me Ligjin për Rregullat e Trafikut Rrugor.
Aktakuza thotë se ata paraprakisht organizojnë garë të kundërligjshme automobilistike, ashtu që i akuzuari Syla, duke drejtuar automjetin e tij, rreshtohet në shiritin e majtë të rrugës, ndërsa i akuzuari Hoti duke drejtuar automjetin e tij, rreshtohet në shiritin e djathtë të rrugës dhe fillojnë zhvillimin e garës së kundërligjshme, me ç’rast duke lëvizur paralelisht me automjetet e tyre në shpejtësi jashtëzakonisht të madhe (sipas vlerësimit të ekspertit 170 km/h), i akuzuari Syla humb kontrollin mbi drejtimin e veturës, duke devijuar në mënyrë diagonale nga shiriti i majtë i rrugës.
Në aktakuzë thuhet se me këtë rast kishte goditur automjetin tjetër “VW Golf” që ishte i ndalur në shiritin emergjent të autostradës dhe për pasojë e kësaj, godet këmbësorët për vdekje N.B., M.D., dhe L.S., të cilët ishin duke ndjekur zhvillimin e garës.
Sipas aktakuzës, në të njëjtën kohë u shkaktoi lëndime të rënda trupore të dëmtuarve M.Z., dhe B.P, si dhe lëndime të lehta trupore të dëmtuarit S.Z., të cilët po ashtu ishin në vendin kritik duke ndjekur zhvillimin e garës së kundërligjshme. Aty thuhet se këto lëndime u konstatuan sipas akt-ekspertimeve nga Instituti i Mjekësisë Ligjore të 29 janarit 2024.
Me këtë, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik” nga neni 370, par. 5 lidhur me par. 1 dhe nenin 31 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.