18-05-2024

Prizren: Ç’solli sot gjykimi ndaj ish-drejtorëve komunal të Prizrenit

Gjykata Themelore në Prizren, të mërkurën, në gjykimin ndaj të akuzuarve  Levent Kasëmi, Fejzë Kabashi, Refik Shaqiri, Ganimete Babuna, Ares Shporta ka refuzuar propozimin e prokurorit Mehdi Sefa për kryerjen e ekspertizës financiare lidhur me dëmin e shkaktuar Komunës së Prizrenit.

Ky vendim është marrë nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Teuta Krusha, në rastin ku të akuzuarit Kasemi, ish- drejtor i Shërbimeve Publike, Kabashi, ish- drejtor i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Shaqiri ish-drejtor për Kadastër dhe Gjeodezi në Komunën e Prizrenit, ish-asamblistja e Kuvendit Komunal të Prizrenit, Babuna, si dhe drejtori i Fondacionit “Lumbardhi”, Shporta, po akuzohen se kanë keqpërdorur detyrat e tyre zyrtare, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësja Krusha, propozimin e prokurorit Sefa e ka cilësuar si të vonshëm. Ajo tha se më 10 mars 2023, prokuroria ka bërë ndryshimin e aktakuzës me ç’rast ka paraparë edhe Komunën e Prizrenit si palë të dëmtuar pa u bazuar në asnjë provë.

Krusha ka thënë se vendimin mbi refuzimin e propozimit të prokurorit të shtetit e ka bazuar në nenin 246, paragraf 5 të Kodit të Procedurës Penale.

Propozimin e prokurorit Sefa, nuk e kanë kundërshtuar i dëmtuari Albert Doqi dhe përfaqësuesja e të dëmtuarës, Komuna e Prizrenit, Florentina Çoçaj. Por, të njëjtin e kanë kundërshtuar të akuzuarit Kasemi, Kabashi, Shaqiri, Babuna, Shporta dhe mbrojtësi e tyre, avokatët Asman Hoxha, Betim Kadolli, Amer Alija, Vigan Rogova dhe Brahim Sopa.

Paraprakisht, në këtë seancë gjykatësja Krusha ka njoftuar se më 20 mars 2023 ka pranuar aktakuzën e ndryshuar të 13 marsit 2023.

Lidhur me këtë, prokurori Sefa ka thënë se çështja duhet të vazhdojë sipas aktakuzës së ndryshuar të 13 marsit 2023. Ai ka treguar se aktakuza e ndryshuar nuk ka pësuar ndryshime, përveç se në fund të përshkrimit faktik është përfshirë si palë e dëmtuar Komuna e Prizrenit.

I akuzuari Kasëmi dhe mbrojtësi i tij, avokati Hoxha e kanë kundërshtuar ndryshimin e aktakuzës duke e cilësuar si të pabazuar.

Kundërshtimet e tyre për aktakuzën e ndryshuar, i kanë paraqitur edhe mbrojtësi i të akuzuarit Kabashi, avokati Kadolli, si dhe i akuzuari Kabashi i cili këtë ndryshim e ka cilësuar edhe si politik.

“Për mua është ndryshim politik edhe kërkoj me e hudhë poshtë, nuk e di a e hudh apo jo, unë e kërkoj”, ka thënë Kabashi.

Tutje, kundërshtimet e tyre i kanë paraqitur edhe mbrojtësi i të akuzuarit Shaqiri, avokati Alija i cili ndryshimin e aktakuzës e ka cilësuar si ndryshim të bërë në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale. Me qëndrimet e të mbrojturit të tij është pajtuar i akuzuari Shaqiri.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Shporta, avokati Rogova ka kundërshtuar ndryshimin e aktakuzës dhe ka cilësuar si absurd pretendimin se Komuna e Prizrenit është palë e dëmtuar.

“Të akuzuarit për veprimet për të cilat akuzohen, kanë qenë anëtarë të komisionit për vlerësimin e pronave të komunës, organ ky i vet Komunës së Prizrenit dhe të gjitha veprimet i kanë ndërmarrë në emër të këtij komisioni. Ky komision është votuar edhe nga Asambleja Komunale dhe është emëruar me vendim të Kryetarit të Komunës. Andaj, është absurde që Komuna e Prizrenit të pretendoj të jetë e dëmtuar për veprimet e saj”, ka thënë Rogova.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarës Babuna, avokati Sopa ka thënë se aktakuza e Prokurorisë është përcjellë me kontradikta për faktin se prokuroria në fazën e fundit ka ngritur çështjen se Komuna e Prizrenit është palë e dëmtuar. Sipas tij, këtë fakt nuk e ka paraqitur në mbi 25 seanca të mbajtura.

“Qëllimin e kam që në këtë çështje të mos vazhdojmë edhe katër vite të tjera…se unë këtë lëndë në ankesë e prishi…po unë kam me u anku nëse nuk bëhet ekspertizë financiare”, ka thënë Sefa.

Për këtë, gjykatësja Krusha tha se është e drejta tij që të ushtroj ankesë dhe jo të ndikoj në vendimin e gjykatës.

“Është e drejta jote, nuk mundesh ti trupin gjykues me e kërcënu me ankesë, as ti e asnjëri këtu” ka thënë Krusha.

Pas kësaj, Sefa ka thënë se ky nuk është një kërcënim po se është e drejta e tij.

Ndryshe, gjykatësja Krusha me kërkesën e prokurorit Sefa dhe avokatit Alija, për refuzimin e propozimit për ekspertizë financiare tha se do të marrë vendim me shkrim.

Seancat e radhës për këtë rast janë caktuar të mbahen më 28 dhe 29 gusht 2023.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 29 nëntor 2019 nga Prokuroria Themelore e Prizrenit, të pandehurit Levent Kasemi, Fejzë Kabashi, Refik Shaqiri, Ares Shporta dhe Ganimete Babuna akuzohen se më 18 mars 2019, nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë për personin tjetër, apo që t’i shkaktojnë dëm personit tjetër.

Siç thuhet në aktakuzë, duke qenë pjesë e komisionit për dhënie në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës së Prizrenit, në bashkëkryerje, me dashje kanë shkelur kriterin e vetëm të Ankandit Publik, gjegjësisht nenin 5, paragrafi 3 të ligjit nr.04/L-144, ku theksohet se procedura për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës komunale bëhet përmes Ankandit Publik, dhe akteve nënligjore, dhe se përzgjedhja e fituesit bëhet në bazë të një kriteri dhe atë të çmimit më të lartë të ofruar.

Në aktakuzë thuhet se duke vepruar në këtë mënyrë, të njëjtit kanë shkelur të drejtat e të dëmtuarit Albert Doqi, duke përzgjedhur si shfrytëzuese ofertuesen Fatmire Berisha, përkundër faktit se i dëmtuari Doqi kishte kuptuar çmimin më të lartë, gjegjësisht shumën 25 euro e 20 centë për m2, për lokalin nr.29, i cili gjendet në sheshin “Shatërvan”, por i njëjti lokal i është dhënë në shfrytëzim ofertueses Berisha, me çmim prej 20 euro e 6 centë për m2.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit përkundër faktit se në bazë të dokumentacionit të prezantuar dëshmohet se përfituesja Fatmire Berisha nuk ka pasur përvojë në menaxhim dhe zhvillim të biznesit, komisioni për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës komunale në Prizren, të njëjtën e ka poentuar me pikë maksimale.

Sipas aktakuzës, më pas komisioni për ankesa pranë Kuvendit Komunal në Prizren, e kishte aprovuar kërkesën e palës së dëmtuar, ku më 28 shkurt 2019 ka anuluar vendimin e këtij komisioni duke e dërguar çështjen në rishqyrtim, por përkundër këtij fakti, komisioni përmes njoftimit të datës 1 prill 2019 ka potencuar se qëndrojnë pranë njoftimit të datës 17 janar 2019, ku janë shpallur fituesit e ankandit për shfrytëzimin me qira të lokaleve-pronë komunale.

Për këtë, ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1, lidhur me paragrafin 2, pika 2.6, e lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.