26-11-2024

Prizren: Deklarohen të pafajshëm gjeodetët e akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Bajram Selmani dhe Luljeta Rizanaj, që po akuzohen se në cilësi të gjeodetëve kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, janë deklaruar të pafajshëm në shqyrtimin fillestar të mbajtur të enjten, në Gjykatën Themelore në Prizren.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Mehdi Sefa, dy të akuzuarit, pas konsultimit me mbrojtësit e tyre, avokatët Blend dhe Gent Gjini, nuk e kanë pranuar fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohen, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i palës së dëmtuar Gjek Gjevlekaj, avokati Pjetër Përgjoka tha se deklarimet e prokurorit Sefa janë të bazuara në prova dhe të mbështetura në dispozitat e Kodit të Procedurës Penale të Kosovës (KPPK), duke propozuar që procedura të vazhdojë në pajtim me këtë Kod.

Pas deklarimeve të palëve, gjykatësja Teuta Krusha i njoftoi të akuzuarit lidhur me afatin për paraqitjen e kërkesës për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave, kurse seancën e radhës e caktoi për 8 shtator 2020, në ora 10:00.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të përpiluar më 28 shkurt 2020, Bajram Selmani dhe Luljeta Rizanaj akuzohen se në cilësinë e personave zyrtarë kanë tejkaluar kompetencat e tyre.

Sipas aktit akuzues, i pandehuri Bajram Selmani, gjeodet i licencuar, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetit e tij, në kundërshtim me kornizën e punës të Agjencionit Kadastral të Kosovës, për standardizimin e matjeve kadastrale, me        qëllim që të përfitoj çfarëdo dobie për vëllezërit Gjon dhe Mihill Gjevlekaj, nga fshati Karashëngjergj në Komunën e Prizrenit, duke shkelur të drejtat e personit tjetër, të dëmtuarit Gjek Gjevlekaj, në atë mënyrë që në cilësi të gjeodetit të licencuar ka bërë ndarjen e parcelave 488 dhe 518 ZK-Karashëngjergj pa lejen, dokumentin dhe kërkesën e njërit bashkëpronar Gjek Gjevlekaj, me ç’rast parashtron kërkesën dhe realizon regjistrimin me ndryshime të pronës në Kadastral-Map në kundërshtim me rregullativën ligjore.

Për të pandehurën Luljeta Rizanaj, në aktakuzë thuhet se më 12 shkurt 2018, në cilësinë e personit zyrtar, gjeodete në Drejtorinë për gjeodezi dhe kadastër, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare tejkalon kompetencat e saj, ashtu që me qëllim shkel të drejtat e personit tjetër Gjek Gjevlekaj, duke vepruar në kundërshtim me rregullat ligjore.

Tutje, në aktakuzë thuhet se e pandehura Rizanaj si gjeodete bën regjistrimin me ndryshime të pronës së bashkëpronarit Gjek Gjevlekaj në Kadastral-Map, në kundërshtim me rregullat ligjore.

Sipas aktakuzës, lënda edhe pse nuk ishte e kompletuar, pasi që mungonte dokumenti i identifikimit, kërkesa dhe i autorizuari i bashkëpronarit Gjek Gjevlekaj, pa pëlqimin e tij, e pandehura Luljeta Rizanaj bënë ndarjen e parcelave me aktvendimin 07-942/05-176194/T, më 12 shkurt 2018.

Me këto veprime, sipas aktakuzës nga Prokuroria Themelore në Prizren, të pandehurit Bajram Selmani dhe Luljeta Rizanaj kanë kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.