23-04-2024

Prizren: Dënim me gjobë ndaj të akuzuarit për veprat penale shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm si dhe armëmbajtje pa leje

Gjykata Themelore në Prizren, të hënën, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të pandehurit Malsor Kolgeci, për shkak të veprave penale shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm si dhe armëmbajtje pa leje.

Sipas aktgjykimit, i akuzuari M. Kolgeci, u dënua me dënim unik me gjobë, në shumën prej 1500 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Seanca e këtij shqyrtimi filloi me leximin e aktakuzës nga prokurori Genc Nixha.

Pas kësaj, i akuzuari Kolegeci deklaroi se e pranon fajësinë për veprat për të cilat po akuzohet, duke shtuar se është penduar për veprimet e tilla dhe se nuk do të përsërisë më këtë vepër penale.

Po ashtu, i akuzuari ka deklaruar se nuk ka nevojë për avokat mbrojtës lidhur me këtë çështje penale.

Pas kësaj, gjykatësi Xheladin Osamani njoftoi se shpallja e aktgjykimit do të bëhet menjëherë.

Sipas aktgjykimit, të akuzuarit Kolgeci, për veprën penale shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm i shqiptohet dënim me burgim prej 5 muajve, ndërsa për veprën penale të armëmbajtjes pa leje, i shqiptohet dënim me gjobë në shumën prej 1000 euro.

Pas kësaj, i akuzuari Kolgeci kërkoi që dënimi me burgim të i zëvendësohet me dënim me gjobë .

Pas kësaj, gjykatësi Osmani mori aktvendim që të aprovohet kërkesa e të akuzuarit Kolgeci, ku dënimi me burgim të i zëvendësohet me dënim me gjobë.

Në këto rrethana, gjykatësi Osmani ndaj të akuzuarit Kolgeci shqiptoi dënim unik me gjobë, në shumën prej 1.500.00 euro, të cilin dënim i akuzuari në fjalë duhet ta paguaj në 6 këste mujore, thuhet në shpalljen e aktgjykimit.

Po ashtu, në aktgjykim thuhet se ndaj të akuzuarit do të konfiskohet arma gjysmë automatike.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, i përpiluar më 16 tetor 2020, i pandehuri M. Kolgeci akuzohet për dy vepra penale.

Sipas dispozitivit të parë të aktakuzës, i pandehuri Kolgeci akuzohet se gjatë periudhës së vitit 2018, në kohë të pa përcaktuar, në shtëpinë e tij e cila gjendet në fshatin Vraniq të Suharekës, shkakton rrezik të madh për jetën e njerëzve.

Kështu që në oborrin e tij, i akuzuari Kolgeci, merr armën e tij gjysmë automatike, dhe shkrep në ajër 9 herë, duke shkaktuar rrezik për jetën e njerëzve.

Me këto veprime, akuzohet se ka kryer veprën penale shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm.

Ndërsa, sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, thuhet se më 30 korrik, të vitit 2020, rreth orës 09:30 minuta, në shtëpinë e të akuzuarit Kolgeci, policia ka gjetur një pushkë gjuetie, model Magnum gjysmë-automatike.

Me këto veprime, M. Kolgeci akuzohet se ka kryer veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve./BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.