Një person i dënuar për lëndim të rëndë trupor do të paguajë gjobë prej dymijë euro në vend se të mbajë gjashtë muaj burg për veprën e kryer.
Sipas njoftimit të këtij institucioni, të hënën është bërë shpallja e aktgjykimit dënues ndaj të akuzuarit, D.N. nga Prizreni, për veprën penale “lëndim i rëndë trupor”.
“Të akuzuarin gjykata e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me dënimin me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë muajve. Gjykata aprovoi kërkesën e të akuzuarit dhe mbrojtësit të tij, që i njëjti dënim të zëvendësohet me dënimin me gjobë në shumën prej 2.000,00 euro, në të cilën shumë të dënimit me gjobë do t’i llogaritet edhe koha e kaluar nën masën e paraburgimit dhe të arrestit shtëpiak”, thuhet në njoftim të Gjykatës Themelore të Prizrenit.
Më 2 janar të vitit 2016 i akuzuari fillimisht është fjalosur me të dëmtuarin, R.Z., dhe më pas e ka sulmuar duke e goditur me thikë. I ka shkaktuar “plagë prerëse, shpuese të indeve të buta të regjionit muror dhe zverkor të kokës” dhe lëndime tjera të rënda trupore.