23-09-2026

Nesër tri vjet nga sulmi në Banjskë: Kriminelët vazhdojnë të jenë të lirë në Serbi

Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, mori pjesë në takimin e Kartës SHBA-Adriatik (A5), të zhvilluar nën kryesimin e Kroacisë, gjatë Javës së Nivelit të Lartë të sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York.

Në fjalën e tij, ai falënderoi Ministrin e Punëve të Jashtme të Kroacisë, Gordan Grlić Radman, për udhëheqjen e këtij formati dhe bëri thirrje për një A5 më të fuqishme, të mbështetur në qëndrueshmëri, solidaritet dhe llogaridhënie, me Republikën e Kosovës si anëtare të plotë.
 

Në këtë kuadër, Zëvendëskryeministri Konjufca solli përvojën konkrete të Kosovës si dëshmi të rëndësisë që këto parime kanë për sigurinë e vendit dhe të gjithë rajonit.

Duke iu referuar sulmit terrorist në Banjskë, Zëvendëskryeministri Konjufca rikujtoi se nesër shënohen tri vjet nga ky sulm, në të cilin u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Ai rikujtoi gjithashtu se kriminelët që kryen sulmin, sot vazhdojnë të jenë të lirë në Serbi, duke nënvizuar se Banjska dëshmon qartë pse llogaridhënia është e domosdoshme për sigurinë dhe stabilitetin rajonal.

Zëvendëskryeministri Konjufca iu referua gjithashtu sulmit të vitit 2024 ndaj kanalit Ibër-Lepenc, i cili ka rol kyç në furnizimin me ujë dhe në funksionimin e sistemit energjetik të Kosovës. Ai vlerësoi se ky rast tregon qartë pse qëndrueshmëria dhe mbrojtja e sistemeve thelbësore të vendit nga sabotimi, sulmet kibernetike dhe kërcënimet hibride duhet të jenë pjesë e pandashme e sigurisë rajonale.

Ai theksoi se Kosova u përball me të dyja këto sulme dhe doli fitimtare, ndërsa nënvizoi se këto nuk janë kërcënime abstrakte për vendin tonë. Kosova i ka përjetuar drejtpërdrejt dhe, pikërisht për këtë arsye, është e gatshme të japë kontribut konkret në përgjigjen e përbashkët rajonale ndaj sulmeve të tilla.

Në përmbyllje, Zëvendëskryeministri Konjufca potencoi se anëtarësimi i plotë i Kosovës në A5 do t’i mundësonte vendit të marrë përgjegjësi më të madhe dhe të kontribuojë edhe më fuqishëm në sigurinë rajonale, mbrojtjen e infrastrukturës kritike dhe përballimin e kërcënimeve hibride.

Zëvendëskryeministri Konjufca e përmbylli fjalën e tij duke thënë se ka ardhur koha që A5 të bëhet A6.

Asnjë koment

Comments are closed.