Prizren: Dënohet me 8 muaj burgim efektiv inspektori i ndërtimit
Gjykata Themelore në Prizren, e ka dënuar me 8 muaj burgim efektiv, inspektorin e ndërtimit, Nexhmedin Musliu për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Musliu akuzohej se nuk ka ndërmarrë veprime për rrënimin e ndërtimeve pa leje të investitorëve Ruzhdi Fandaj dhe Tahir Haziraj, duke iu mundësuar që në mënyrë të pakontrolluar të vazhdojnë ndërtimet e katit të tretë dhe të katërt të shtëpisë individuale.
Aktgjykimi ndaj të akuzuarit Musliu, u shpall të enjten nga kryetarja e trupit gjykues, Teuta Krusha, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Po ashtu, të akuzuarit Musliu iu shqiptua edhe dënim plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratë publike ose në shërbimimn publik, në kohëzgjatje prej 1 viti.
Sipas aktit akuzues, Musliu ka qenë përgjegjës për inspektimin e ndërtimeve në rrugën “Muhaxherët” – zona e “Qylhanit”, në Prizren, por i njëjti nuk ka ndërmarrë veprime për rrënimin e ndërtimit pa leje të bërë në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim, Planin Zhvillimor Urban të komunës dhe lejeve të ndërtimit të Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor të Komunës së Prizrenit.
Tutje, në aktakuzë thuhet se investitorëve Ruzhdi Fandaj dhe Tahir Haziraj u kanë mundësuar që në mënyrë të pakontrolluar të vazhdojnë ndërtimet e katit të tretë dhe të katërt të shtëpisë individuale, duke bërë konstatimin formal të gjendjes faktike në procesverbale.
I pandehuri Musliu, sipas aktakuzës, asnjëherë nuk e ka zbatuar masën e rrënimit edhe pse ka qenë i obliguar për një gjë të tillë, duke i sjellë përfitim investitorëve, ku ka dëmtuar infrastrukturën e qytetit në zonën e ndërtimit në “Qylhan”, të Prizrenit.
Ndryshe, Nexhmedin Musliu është i akuzuar edhe në disa raste të tjera, që lidhen me veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.