Prizren: Dështon gjykimi ndaj ish-inspektorit të ndërtimit në Prizren
Për shkak të mungesës së mbrojtësve së të akuzuarit Nexhmedin Musliu, avokat Gent dhe Blend Gjini ka bërë që të dështojë gjykimi ndaj Nexhmedin Musliut, ish- inspektor i ndërtimit në Prizren i cili po akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Kryetarja e trupit gjykues Ajser Skenderi konstatoi se mbrojtësit Gent dhe Blend Gjini nuk janë prezent në gjykimin e sotëm edhe pse janë ftuar në mënyrë të rregullt.
Kësisoj, pasi që nuk janë plotësuar kushtet ligjore për mbajtjen e kësaj seance gjyqësore, seanca e sotme është shtyrë dhe është caktuar më 10 maj 2022.
Ndryshe, në seancën e sotme prezantuan prokurorja, Ervehe Gashi, përfaqësuesi i palës së dëmtuar- Komunës së Prizrenit avokat Blerim Mazreku, ndërsa pasi që ishte shtyrë seanca, në sallë prezantuan edhe mbrojtësit e të akuzuarit Nexhmedin Musliu, avokat Gent dhe Blend Gjini.
Me aktakuzën e Prokurorisë Themelore Prizren, të ngritur më 26 nëntor 2019, i pandehuri Nexhmedin Musliu akuzohet për dy vepra penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Ai akuzohet se prej datës 23 maj 2017 e në vazhdim, në Prizren, në cilësinë e personit zyrtar si inspektor komunal i ndërtimit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari ka inspektuar punimet në rrugën “Edit Durham”, të filluara nga i pandehuri Isuf Alibajra, ku konstaton se i njëjti nuk posedon leje ndërtimi nga organet kompetente komunale dhe urdhëron ndalimin e punimeve, mirëpo më pas vepron në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim, duke mos ndërmarr veprime për ndalimin e punimeve dhe rrënimin e objektit, duke u mjaftuar vetëm me inspektim formal.
Tutje, në aktakuzë thuhet se Musliu në prill të vitit 2017 e në vazhdimësi, në Prizren, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari ka inspektuar punimet në rrugën “Edit Durham”, të filluara nga i pandehuri Shaqir Rrahmanaj, ku konstaton se i njëjti ka tejkaluar lejen ndërtimore nga B+P+2 në B+P+3, urdhëron ndalimin e punimeve dhe i jep afat pronarit për rrënim vullnetar të mbindërtimit.
Sipas aktakuzës, Musliu më 22 dhjetor 2017 sërish del në inspektim dhe konstaton se jo vetëm që nuk ishin ndërpre punimet, por tani objekti kishte etazhitet B+P+4 dhe ndërtim të shkallëve në pronë publike, mirëpo më pas vepron në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim, duke mos ndërmarr veprime për ndalimin e punimeve dhe rrënim, duke u mjaftuar vetëm me inspektim dhe vërejtje formal.
Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Musliu, duke mos ndërmarr veprime i ka mundësuar Shaqir Rramanaj ndërtimin e objektit me etazhitet B+P+4 dhe të uzurpojë pronën publike prej 10m2, ndërsa Kuvendit Komunal i ka shkaktuar dëm në vlerën e taksave të papaguara dhe ka dëmtuar infrastrukturën e qytetit në zonën e ndërtimit “Qylhan”.
Ai akuzohet edhe në disa raste të tjera që kanë të bëjë me veprën e njëjtë penale. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.