25-11-2024

Prizren: Dështon gjykimi ndaj të akuzuarit për rrëmbimin e një shtetasi turk

Mungesa e të dëmtuarit R.A ka bërë që të dështoj seanca gjyqësore ndaj të pandehurit Blerim Berisha, i cili po akuzohet për kryerjen e veprës penale të rrëmbimit në bashkëkryerje.

Prokurori Mehdi Sefa propozoi që të caktohet një përfaqësues për palën e dëmtuar, meqë i njëjti gjendet në shtetin e Turqisë dhe se dëgjimi i dëshmitarëve në mungesë të tij do të përbënte shkelje ligjore.

Lidhur me këtë propozim, mbrojtësi I të akuzuarit Berisha, avokati Avni Berisha tha se ia lë në vlerësim gjykatës.

Pas deklarimit të palëve, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Raima Elezi mori vendim që të caktohet një përfaqësues për palën e dëmtuar dhe që përmes Ministrisë së Drejtësisë të ftohet pala e dëmtuar në seancën e radhës, e cila u caktua më 6 tetor 2021, në ora 09:00.

Ndryshe, në këtë rast akuzoheshin edhe Abdula Morina, Yusuf Morina dhe Lëndim Morina, por të njëjtit kanë arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë më 23 tetor 2020.

Në aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prizren të datës 17.11.2020, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Abdula Morina dhe Yusur Morina janë dënuar me 20 muaj burgim në të cilën dënim i janë llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim, ndërsa i akuzuari tjetër Lendim Berisha është dënuar me 12 muaj burgim në të cilën po ashtu i është llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim.

Ndërsa sipas informatave të marrura nga prokurori Mehdi Sefa, Dibran Gashi i cili ka marrë pjesë në rrëmbim e shtetasit turk R.A, gjendet akoma në arrati.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të ngritur më 17 qershor 2020, Blerim Berisha akuzohet se më 17.09.2019 rreth orës 19:28-19:48 në Prizren, në bashkëkryerje me të akuzuarit Abdula Morina, Yusur Morina, Lëndim Morina dhe Dibran Gashi në marrëveshje paraprake kryejnë rrëmbimin e të dëmtuarit  R.A nga Stambolli-Turqi.

Siç thuhet në aktakuzë, i akuzuari Abdulah Morina së bashku me vëllain e tij Yusuf Morina organizojnë rrëmbimin e R.A ashtu që Abdula Morina e merr të dëmtuarin R.A në veturën e tij duke e shoqëruar në parkun e qytetit ku ishte duke pritur i akuzuari Lëndim Berisha, Blerim Berisha dhe Dibran Gashi, të cilët së bashku në parkun e qytetit takohen me Abdula Morinën dhe pastaj me një automjet të cilin e drejtonte Dibran Gashi ku ishte edhe Lëndim Berisha, e marrin të dëmtuarin R.A dhe largohen nga parku duke dalë jashtë qytetit të Prizrenit duke pritur para automjetit të cilin e drejtonte Blerim Berisha.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Dibran Gashi dhe Lendim Berisha ndalen dhe zhvillojnë një bisedë në automjetin e Blerim Berishës të cilët kthehen dhe i lidhin këmbët dhe duart dhe duke mbajtur vazhdimisht armën në drejtim e të dëmtuarit R.A dhe pastaj e dërgojnë në fshatin Hoqë të qytetit e më pas nga vëllai i të dëmtuarit që gjendet në Turqi përmes telefonit i kërkojnë shumën prej 50.000 euro duke e kërcënuar se nëse nuk i dorëzon të hollat do ta vrasin të dëmtuari R.A dhe ashtu të lidhur e duke përdorur dhunë dhe nën kërcënimin e armës e mbajnë deri më datën 21.09.2019.

Për këtë, ata akuzohen se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale të Rrëmbimit për të cilën vepër penale parashihet dënimi prej 3 deri në 12 vjet burgim /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.