05-08-2020

Prizren: Dështon seanca e rigjykimit për korrupsion ndaj ish-drejtorit të Inspektoratit

Edhe një herë tjetër, ka dështuar të mbahet seanca e rigjykimit, e paraparë për të premten, në Gjykatën Themelore në Prizren, ndaj ish-drejtorit të Inspektoratit në Komunën e Prizrenit, Bujar Nerjovaj, i akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Nerjovaj, i cili ka qenë edhe zëvendësministër i Administratës Publike, akuzohet se gjatë periudhës 2011-2013, nuk i ka siguruar kushtet për t’i ekzekutuar konkluzionet e lëshuara nga inspektorët e ndërtimtarisë, për rrënimin e detyrueshëm të mbindërtimeve dhe ndërtimeve të katër objekteve hoteliere në afërsi të sheshit “Shatërvan” në Prizren, raporton “Betimi për Drejtësi”.

  • Shkak për mos mbajtjen e kësaj seance ka qenë mungesa palës së dëmtuar, përfaqësuesit të Komunës së Prizrenit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Blerim Mayreku, i cili njëherit është edhe përfaqësues ligjor i Komunës së Prizrenit, deklaroi se edhe nëse ai eventualisht do të hiqte dorë nga mbrojtja e të akuzuarit, përsëri nuk do të kishte të drejtë të përfaqësojë komunën, sepse paraprakisht ka qenë mbrojtës i Nerjovajt.

    Tutje, avokati Mayreku deklaroi se Komuna e Prizrenit vazhdimisht është duke shpallur konkurse për plotësimin e vendeve vakante të përfaqësuesve ligjor, por se ende nuk ka arritur që të sigurojë përfaqësuesin me kontratë të rregullt.

    Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Xheladin Osmani deklaroi se nuk plotësohen kushtet ligjore për mbajtjen e kësaj seance, ndërsa seancën e radhës e  ka caktuar më 10 shtator 2020, në ora 10:00.

    Lidhur me këtë aktakuzë, Gjykata Themelore në Prizren, më 3 qershor 2019, e kishte shpallur fajtor për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ish-drejtorin Bujar Nerjovaj dhe atë e kishte gjykuar me gjashtë muaj burgim.

    Mirëpo, ky dënim ndaj tij nuk do të ekzekutohej nëse ai nuk do të kryen vepër tjetër penale brenda një viti pasi që ky aktgjykim të bëhet i plotfuqishëm.

    Por, rasti është kthyer në rigjykim, pas ankesës së avokatit mbrojtës Blerim Mazreku, i cili kishte kërkuar nga Gjykata e Apelit, rigjykim apo lirimin nga akuza së të mbrojturit të tij.

    Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, e ngritur më 30 tetor 2018, i pandehuri Bujar Nerjovaj, si drejtor i Inspektoratit në Komunën e Prizrenit, akuzohet se si person zyrtar me mosveprim duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, nuk e ka përmbushur detyrën zyrtare, me qëllim të përfitimit të dobisë për personin tjetër apo që t’i shkaktojë dëm personit tjetër.

    Në aktakuzë thuhet se Nerjovaj, në cilësinë e ish-drejtorit të Drejtorisë Komunale të Inspektorateve në Prizren, gjatë periudhës 2011-2013, nuk i ka siguruar kushtet për t’i ekzekutuar konkluzionet e lëshuara nga inspektorët e ndërtimtarisë, për rrënimin e detyrueshëm të mbindërtimeve dhe ndërtimeve të katër objekteve hoteliere në afërsi të sheshit “Shatërvan” në Prizren.

    Sipas aktakuzës, objektet janë ndërtuar pa leje apo në kundërshtim me lejet e dhëna, të gjitha këto të ndërtuara në Zonën e Parë të Qendrës Historike në Prizren, me ç‘rast është dëmtuar trashëgimia kulturore e arkitektonike e Qendrës Historike të Prizrenit si dhe për shkak të mos pagesës së detyrimeve, është dëmtuar buxheti i Komunës së Prizrenit për 36,143.00 euro.

    Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi

    Asnjë koment

    Comments are closed.