Prizren: Detaje rreth grabitjes së shtetasit japonez në “Shatërvan”, tre hajnat e lënduan me thika

Pak më parë në qendër të Prizrenit, nje shtetas japonez është grabitur nga disa persona të dyshuar.

Në pamundësi për të marrë një përgjigje zyrtare nga Policia rajonale në Prizren, lidhur me ketë rast, Gazeta Sinjali ka marrë detaje nga burimet brenda Prokurorisë.

Sipas informatave të para, tre persona dyshohen të jenë përfshirë në ketë rast, dy prej të cilëve të komunitetit rom, si dhe i dyshuari i tretë i moshës së mitur.

Ky i fundit, Sinjali mëson se dyshohet se ka të kaluar kriminale.

Çka i grabitën tre të dyshuarit shtetasit japonez dhe si ndodhi ngjarja?

Burimet thonë se gjithçka ndodhi në pikë të ditës, derisa viktima, 41-vjeçar po kalonte rrugën, kur papritmas i dolën përpara të dyshuarit. Përveç që e terrorizuan me veprime agresive, Sinjali mëson se ata nxorën edhe disa thika.

Nën kërcënimin e tyre, tre hajnat arritën t’ia marrin me forcë portofolion, në të cilin kishte një shumë të parave të gatshme dhe disa kartela bankare.

Përveç që e kanosën seriozisht, të dyshuarit edhe i përdorën mjetet e mprehta, duke i shkaktuar lëndime trupore 41-vjeçarit, që i pësoi gjatë përballjes me ta.

Ajo që dihet deri më tani është se Policia është aktivizuar për t’i kapur personat e përfshirë në këtë rast.

Ndërkohë edhe Prokurori i Shtetit është vënë në dijeni për rastin dhe posa të prangosen të dyshuarit, pritet të merren veprimet e tjera hetimore.