01-05-2024

Prizren: Dosja e Prokurorisë për dallaveret me patentë shofer

Sinjali raportoi ekskluzivisht pas aksionit se personat e arrestuar janë Lutfi Bytyqi – drejtor i klinikës “Galaktika SH.P.K.”, Urim Muhaxheri dhe Idriz Gashi.

Ndaj Bytyqit, Gjykata Themelore në Prizren ka marrë aktvendim për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoriteti zyrtar”.  

Ndërsa ndaj Muhaxheri dhe Gashit është caktuar masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 30 ditësh, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”.

Lajmin e ka konfirmuar për Sinjalin edhe zëdhënësi i Gjykatës, Marcel Lekaj.

“Të pandehurit U.M., dhe I.G., nuk guxojnë që të largohen nga shtëpitë e tyre, ku të njëjtit e kanë vendbanimin si dhe nuk guxojnë të kontaktojnë me personat me të cilët ata nuk jetojnë, nëse të pandehurit e shkelin masën e arrestit shtëpiak ndaj të njëjtëve Gjykata do të cakton masën e paraburgimit. Këtë masë do ta mbikëqyrin Stacionet Policore,  të cilët edhe pa kërkesë të Gjykatës në çdo kohë mund të verifikojnë zbatimin e kësaj mase, dhe të njoftojnë Gjykatën për çdo cenim të mundshëm.” – thuhet në përgjigje.

Çka thuhet në kërkesën e Prokurorisë që u aprovua nga Gjykata?

Gjyqtarja pas vlerësimit të kërkesës së Prokurorit të Shtetit dhe pas vlerësimit të shkresave të lëndës dhe provave materiale, ka gjetur se kërkesa e Prokurorit të Shtetit për caktimin e masës së sigurisë ndaj Bytyqit është e bazuar.

Kjo për shkak të dyshimit se i njëjti, më datë 15.07.2023 në Prizren, në poliklinikën “Galaktika”, në cilësinë e personit zyrtar – drejtor i kësaj poliklinike, i autorizuar dhe i licencuar nga Ministria e Shëndetësisë për lëshimin e certifikatave mjekësore për kandidatët për patentë shofer, i ka tejkaluar autorizimet e tij, duke lëshuar certifikatën mjekësore me numër x në emër të B.V., pa e kontrolluar.

Me këtë dokument, ai e vërteton se e njëjta e  ka kryer kontrollin mjekësor të kërkuar, edhe pse në atë kohë B.V., ka qenë në Mbretërinë e Bashkuar dhe mosprezenca e saj është vërtetuar nga verifikimi në databazën e Policisë së Kosovës.

Pra i njëjti dyshohet se të njëjtës i ka mundësuar përfitim në formën e regjistrimit të provimit për patentë shofer përmes auto shkollës “Start” me seli në Prizren, me të cilën me datë 17.07.2023 gjoja se ka lidhur kontratë në këtë autoshkollë dhe më pas emri i saj është dërguar në Departamentin e patentë shoferëve së bashku me listën e kandidatëve të tjerë që fillojnë ligjëratat për patentë shofer.

Drejtori i kësaj klinike po dyshohet po ashtu se i ka tejkaluar autorizimet e tij edhe në një rast tjetër, duke lëshuar certifikatën mjekësore me numër x në emër të B.Th., pa e kontrolluar dhe me të cilën ka vërtetuar se i njëjti e ka kryer kontrollin mjekësor të kërkuar, edhe pse në atë kohë B.Th., nuk ka qenë në Kosovë.

Kështu, Bytyqi po dyshohet se edhe në këtë rast i ka mundësuar të njëjtit përfitim në formën e regjistrimit të provimit për patentë shofer përmes autoshkollës “Ferrari” me seli në Malishevë, me të cilën gjoja se ka lidhur kontratë dhe më pas emri i të njëjtit dërgohet në Departamentin e patentë shoferëve.

Ndërsa Muhaxheri dyshohet se më 17 korrik 2023, ka vënë në lajthitje organin kompetentë që një dokument publik apo regjistër të vërtetojë një çështje të pavërtetë të paraparë për të shërbyer si provë në një çështje ligjore.

“Në atë mënyrë përpilon kontratën  me numër 140/23 me të cilën gjoja se ka lidhur kontratë auto shkolla “Start” me seli në Prizren, me kandidaten B.V., të njëjtës ia lëshon vërtetimin e dt. 10.08.2023 me të cilën vërteton se kandidatja B.V., është aftësuar për pjesën teorike të ligjëratave për patentë shofer dhe të njëjtat i ka ndjekur prej dt. 18.07.2023 e deri me dt. 25.07.2023 për dhënien e patentë shoferit, dokumente këto që shërbejnë si provë për të hyrë në provim për patentë shofer, e të njëjtat me dt. 17.07.2023 i dërgon në Departamentin e patentë shoferëve së bashku me listën e kandidatëve të tjerë që fillojnë ligjëratat për patentë shofer, edhe pse vërtetohet se në atë periudhë kohore B.V., ka qenë në Mbretërinë e Bashkuar, e hyrjen në Kosovë e ka bërë me dt. 22.07.2023.” – thuhet në vendimin e Gjykatës.

Kurse Idriz Gashi, i cili po ashtu dyshohet se ka  kryer veprën penale “Legalizimi i përmbajtjes së rreme, duke vepruar kundërligjshëm”.

“Më datë 26.07.2023 në Malishevë, vë në lajthim organin kompetentë që një dokument publik apo regjistër të vërtetojë një çështje të pavërtetë të paraparë për të shërbyer si provë në një çështje ligjore në atë mënyrë që përpilon kontratën  për aftësimin e kandidatit B.Th., për shofer me të cilën gjoja se ka lidhur kontratë auto shkolla “Ferrari” me seli në Malishevë,  të njëjtit ia lëshon kartelën e kandidatit me numër 251/2023 me të cilën vërteton se i njëjti, pra B.Th., nga data 26.07.2023 e deri me dt. 02.08.2023 ka ndjekur ligjëratat dhe është aftësuar nga pjesa teorike, ndërsa nga data 03.08.2023 e deri me dt. 18.08.2023 është aftësuar nga pjesa praktike për të drejtuar mjetin me veprim motorik, siguron certifikatë në emër të B.Th., nga Kryqi i Kuq i Kosovës – Dega në Malishevë se B.Th., me dt. 21.07.2023 e ka përfunduar me sukses kursin e ndihmës së parë për patentë shofer,  dokumente këto që shërbejnë si provë për të hyrë në provim për patentë shofer, e të njëjtat i dërgon në Departamentin e patentë shoferëve së bashku me listën e kandidatëve të tjerë që fillojnë ligjëratat për patentë shofer, edhe pse vërtetohet se në atë periudhë kohore Blerim Thaqi nuk ka qenë në Kosovë, e mos prezenca e tij është vërtetuar nga verifikimi në data bazën e Policisë së Kosovës dhe vërtetohet se i njëjti ka bërë dalje nga Kosova me dt. 23.04.2023, dhe ka hyrë përsëri në Kosovë me dt. 03.09.2023.”– thuhet tutje në vendim.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. /GazetaSinjali/

Asnjë koment

Comments are closed.