Prizren: Drejtorët e Komunës mohojnë fajësinë se kundërligjshëm dhanë në shfrytëzim pronën komunale

Të pafajshëm për një vepër të tillë penale, janë deklaruar edhe asamblistja në Kuvendin Komunal të Prizrenit, Ganimete Babuna, si dhe drejtori i Fondacionit “Lumbardhi”, Ares Shporta, që ka qenë anëtar i komisionit nga shoqëria civile.

Ata akuzohen se si anëtarë të komisionit për dhënie në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës së Prizrenit, në mënyrë të kundërligjshme kanë dhënë në shfrytëzim pronën komunale, që ndodhet në sheshin “Shatërvan”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën fillestare të mbajtur të enjten në Gjykatën Themelore në Prizren, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Metush Biraj, të akuzuarit kanë thënë se nuk e ndiejnë veten fajtorë për akuzën me të cilën ngarkohen.

Pasi që ata e kanë mohuar fajësinë, gjykatësi Artan Sejrani, i ka njoftuar të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre se brenda afatit ligjor kanë të drejtë të paraqesin kundërshtimet si dhe kërkesën për hudhje të aktakuzës, ndërsa seancën e shqyrtimit të dytë e ka caktuar më 27 mars 2020, në ora 10:00

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit të ngritur më 29 nëntor 2019, të akuzuarit Kasëmi, Kabashi, Shaqiri, Shporta dhe Babuna, ngarkohen se më 18 mars 2019, nuk i përmbushin detyrat e tyre zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë për personin tjetër, apo që t’i shkaktojnë dëm personit tjetër.

Organi i akuzës, ata i ngarkon se duke qenë pjesë e komisionit për dhënie në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës së Prizrenit, në bashkëkryerje me dashje kanë shkelur kriterin e vetëm të Ankandit Publik, gjegjësisht nenin 5, paragrafi 3 të ligjit nr.04/L-144, ku theksohet se procedura për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës komunale bëhet përmes Ankandit Publik, dhe akteve nënligjore, ku theksohet se përzgjedhja e fituesit bëhet në bazë të një kriteri dhe atë të çmimit më të lartë të ofruar.

Në aktakuzë thuhet se duke vepruar në këtë mënyrë, të njëjtit kanë shkelur të drejtat e të dëmtuarit Albert Doqi, duke përzgjedhur si shfrytëzuese ofertuesen Fatmire Berisha, përkundër faktit se i dëmtuari Doqi, kishte kuotuar çmimin më të lartë, gjegjësisht shumën 25.20 euro për m2, për lokalin nr.29, i cili gjendet në sheshin “Shatërvan”, por i njëjti lokali i është dhënë në shfrytëzim ofertueses Berisha, me çmim pre 20.06 euro për m2.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit përkundër faktit se në bazë të dokumentacionit të prezantuar dëshmohet se përfituesja Fatmire Berisha, nuk ka pasur përvojë në menaxhim dhe zhvillim të biznesit, komisioni për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës komunale në Prizren, të njëjtën e ka poentuar me pikë maksimale.

Sipas aktakuzës, më pas komisioni për ankesa pranë Kuvendit Komunal në Prizren, e kishte aprovuar kërkesën e palës së dëmtuar, ku më 28 shkurt 2019, ka anuluar vendimin e këtij komisioni duke e dërguar çështjen në rishqyrtim, përkundër faktit të tillë, Komisioni përmes njoftimit të datës 1 prill 2019, ka potencuar se qëndrojnë pranë njoftimit të datës 17 janar 2019, ku janë shpallur fituesit e ankandit për shfrytëzimin me qira të lokaleve-pronë komunale.

Me këtë, sipas Prokurorisë Themelore në Prizren, ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1, lidhur me paragrafin 2, pika 2.6, e lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). /Betimipërdrejtësi