17-05-2024

Prizren: Dyshimet për vrasjen e foshnjës, ende s’ka të arrestuar, policia po mbledh informacione

Ditëve në vazhdim nuk doli asgjë e re lidhur me fatin e kësaj foshnje dhe për atë se kush e la atë të vdekur në afërsi të Parkut të Qytetit të Prizrenit.

Për këtë çështje, nga Prokuroria Themelore në Prizren, kanë konfirmuar për Express, se kanë autorizuar policinë që të grumbullojë informacione për të ndërmarrë më pas veprime hetimore.

“Referuar kërkesës tuaj për informacione, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prizren, ka autorizuar policinë për grumbullimin e informacioneve dhe për ndërmarrjen e veprimeve hetimore. Prokuroria do t’ju mbajë të informuar lidhur me rastin”, thuhet në përgjigjen e tyre.

E detaje nuk dhanë lidhur me atë se nëse ka ndonjë të dyshuar për, siç cilësohet vepra, vrasjen e kësaj foshnje.

Ndërkaq, nga policia patën thënë se foshnja ishte gjetur nga një person, teksa me vendim të prokurorit trupi i foshnjës është dërguar për obduksion.

“Policia në Prizren ka pranuar një informatë se në afërsi të Parkut të Qytetit, nga një dëshmitar okular, gjendet një trup i pajetë që bëhet fjalë një foshnjë. Reagimi policor ka qenë i menjëhershëm, njësitë relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes. Është njoftuar Prokurori i Shtetit dhe me urdhër të tij trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion. Po ashtu në vendin e ngjarjes ka dalë edhe ekipi i Emergjencës ku mjeku ka konstatuar vdekjen e foshnjës. Me këtë rast po merrren hetimet rajonale dhe po trajtohet si ‘Vrasje e foshnjës së porsalindur’, në konsultim me Prokurorin e Shtetit kështu do të fillojnë hetimet dhe po trajtohet si rast i kësaj natyre”, pati thënë për Express, zëdhënësi I policisë për rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi”, thuhet në njoftim.

Asnjë koment

Comments are closed.