26-11-2024

Prizren: Fillimi i Ramazanit të dytë në pandemi

Në Prizren, sikur edhe në Republikën e Kosovës dhe në komunitetin botëror myslimanë, sot ka nisur Ramazani – muaji i agjërimit.

Ky është muaji i shenjtë, muaj i mëshirës. Nga minaretë e xhamive të shumta të qytetit,  por edhe të fshatrave, thirrja e ezanit shënon fundin e agjërimit,  përgjatë të cilit agjëruesit largohen nga ushqimi dhe çdo kënaqësi tjetër trupore, duke iu afruar bamirësisë dhe adhurimit të  Zotit.

Prizreni është qendër me 76 vendbanime, që ka edhe komunitete të tjera. Shumicën e përbën komuniteti mysliman me 94 për qind shqiptarë, boshnjakë, turq, pastaj pjesëtarë të komunitetit RAE, si dhe pesë për qind katolikë shqiptarë dhe të tjerë,  shkruan “GazetaePrizrenit.net”.

Në këtë qytet, harmonia tradicionale ndërmjet besimeve ndjehet veçanërisht në këtë muaj,  që tashmë si festë fetare po merr ngjyrimin e një ngjarjeje shoqërore, rreth së cilës bashkohen të gjithë.

Edhe sivjet, për dallim nga dekadat tjera, për shkak të pandemisë kanë ndryshuar rrethanat, të cilat padyshim se do të reflektohen në atmosferën tradicionale.

Do theksuar se prej një viti janë masat ani-Covid, ku në objektet e kultit fetar duhet kujdes dhe distancë, ndërsa nuk ka vizita dhe festime me miq gjatë Ramazanit.

Magjia e natës së Ramazanit, që fillon me iftar, edhe kësaj radhe bëhet rreth tryezës së të cilës janë vetëm familja e ngushtë, shkruan “Gazeta e Prizrenit”.

Pavarësisht që institucionet dhe Bashkësia Islame janë deklaruar se në këtë muaj të Mëshirës asnjëri s’do të ngelet i uritur, për të dytin vit nuk do të shtrohen si zakonisht iftare të përbashkëta.

Nëpër furrat e këtushme do të mungojë atmosfera e veçantë, para kohës së iftarit dhe syfyrit. Nata nuk do të jetë e madhërishme dhe e “gjallë” sikur bëhej deri në syfyr.

Qyteti do të jetë më i qetë se zakonisht. Së paku në javën e parë,  restorantet e kafenetë janë të mbyllura. Qetësia vazhdon edhe më tepër deri në iftar, kur lëvizja e qytetarëve mund të shtohet në kohën e “pitajkave” (ndonjëherë edhe pitalkave).  Ky ushqim tradicional për Prizrenin, i cili zakonisht përgatitet vetëm gjatë këtij muaji e që është shndërruar në simbol të Ramazanit nuk do të mungojë edhe sivjet.

Për shkak të reduktimit të orareve të punës apo edhe pezullimit të shumë veprimtarive, një numër i besimtarëve do të jenë në shtëpi.

Autoritetet fetare dhe ato politike në Prizren ua kanë uruar të gjithë besimtarëve myslimanë muajin e shenjtë, duke u dëshiruar agjërim të lehtë dhe duke bërë thirrje për rritjen e solidaritetit.

Edhe portali informativ “GazetaePrizrenit.net” besimtarëve islam ua uron muajin e Ramazanit, me shpresën që kjo të jetë hera e fundit e shënimit kësisoj si dhe të krijohen rrethana të reja dhe që Bajramin, ta festojmë bashkërisht! /Gazeta e Prizrenit.net/

 

Asnjë koment

Comments are closed.