Prizren: Gërryerja e asfaltit dhe mosintervenimi i shpejtë telashe për shoferët
Prej një jave është gërryer sipërfaqja e asfaltit të vjetër në rrugën “Enver Hadri” dhe një pjesë e asaj “Edit Durham”, por ende nuk është vënë shtresa e re. Vozitësit ankohen se një praktikë e riparimit të tillë të rrugëve, që zgjatë për disa ditë, po u shkakton vonesa dhe dëmtim të automjeteve, shkruan sot “GazetaePrizrenit.net”.
Në dy nga rrugët kryesore, që lidhin transitin e ri tek rrethi i qendrës “TeA” me pjesën e Ortakollit dhe të qendrës “Qylhan” ka një javë kur duhet lëvizur me shpejtësi të ngadalësuar dhe kujdes, për shkak të heqjes së shtresës së vjetër të asfaltit. Pasi kësaj rruga është lënë në këtë gjendje, ndonëse herë pas here shihen punëtorë duke kryer punime për riparimin e saj.
Kjo si duket po u shkakton telashe vozitëseve. Kamber Gashi, një punëtor ndërtimtarie ankohet pasi i bie të qarkullojë nga 3-4 herë në këtë rrugë, për shkak të lëvizjeve të domosdoshme, por tashmë detyrohet të lëvizë ngadalë, për shkak të gjendjes së rrugës.
Refki Bytyqi, një banor që thotë se e ka shtëpinë në këtë pjesë, ankohet se pos vonesës, lëvizja nëpër trasenë me asfalt të gërryer i dëmton jo vetëm gomat, por edhe pjesët tjera, pasi gërryerja e asfaltit e ka ulur nivelin e rrugës, ndaj anësoreve të rrugëve dytësore, të cilat duhet kaluar për hyrje-dalje.
Një praktikë e tillë, e gërryerjes së shtresës së asfaltit dhe pastaj lënia në këtë gjendje për një kohë të gjatë, pos qytetit ka ndodhur edhe në rrugën magjistrale Prizren-Gjakovë, konkretisht në segmentin tek fshati Piranë. Pasi gërryerjes, më pas nuk është intervenuar për gati një muaj, duke lënë në gjendje të tillë trasenë e aksit kryesor që lidh mes vete Prizrenin-Gjakovën e Pejën, si dhe pjesët përreth. /GazetaePrizrenit.net/