Prizren: Gjykata merr vendim ndaj të dyshuarit në rastin e shpërthimit në tregun e kafshëve
Gjykata Themelore në Prizren ka marrë vendim për masën e sigurisë ndaj Remzi Murtezit, të dyshuarit i cili u arrestua dhe u ndalua dje, nën dyshimet se është i përfshirë në incidentin në tregun e kafshëve, ku mbetën të lënduar 10 persona si pasojë e një shpërthimi, raporton Sinjali.
Sinjali mëson se kërkesa e Prokurorisë për caktimin e masën së paraburgimit u aprovua dhe vendimi u mor pas seancës dëgjimore, e cila u mbajt sot.
Dhjetë personat e lënduar përfunduan në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Prizren mëngjesin e djeshëm, si pasojë e lëndimeve që morën pas shpërthimit të një granate dore.
Pesë prej tyre u dërguan për trajtim të mëtutjeshëm në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, teksa Policia ka identifikuar tre persona të dyshuar.
Sinjali raportoi sot ekskluzivisht se ishte Remzi Murtezi [42-vjeçar] bashkë me Xhevdet Selimin [37-vjeçar], ata që aktivizuan mjetin shpërthyes.
Murtezi është arrestuar të mërkurën në komunën e Gjilanit dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Ndërkohë Policia në koordinim me Prokurorinë ka kryer bastisje në shtëpinë e Selimit në fshatin Uglarë të Gjilanit, mirëpo i njëjti nuk është hasur aty dhe nuk është gjetur asgjë e dyshimtë./Gazeta Sinjali/