Prizren: Gjykimi ndaj inkasantëve, ”dëmet ndaj ujësjellësit mbi 19 mijë euro”
Pas plotësimit të ekspertizës financiare, Gjykata Themelore në Prizren, ka vazhduar shqyrtimin gjyqësor, në rastin ku ish-inkasanti i “Hidroregjioni Jugor”, Hafir Gallopeni, i cili akuzohet për përvetësim në detyrë.
Ai akuzohet se duke punuar si inkasant ka përvetësuar para në shumë prej mbi 20 mijë euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në seancën e kaluar që ishte mbajtur më 1 korrik 2019, pas pranimit dhe shikimit të dëftesave origjinale, të dorëzuara nga prokurorja e rastit Ervehere Gashi, trupi gjykues ka marrë vendim që të bëhet plotësimi i ekspertizës financiare sa i përket dëmit të shkaktuar, duke marrë për bazë dëftesat origjinale, pasi më parë ishin marrë për bazë vetëm kopjet e tyre.
Ndërsa, në seancën e së martës, eksperti financiar Isak Krasniqi gjatë elaborimit të ekspertizës së tij, tha se dëmi është mbi 19 mijë euro.
Ai tha se në seancën e kaluar diferenca ka dalë 919.61 euro, ku sipas tij, deficiti i konstatuar në atë kohë ka qenë 19.523 euro.
“Me kërkesën e gjykatës e kemi shiquar prej fillimit edhe njëherë në tërësi dhe kemi ardhë në përfundim të edhe një diference tjetër prej 492.76 euro. Kjo diferencë ka ardh si rezultat i asaj se në disa raste dëftesat janë shtypur me numra të njëjtë serik. Diferenca totale është 19.593.28 – 492.76 = 19.100.55 euro, ky është deficit i konstatuar”, ka deklaruar ai.
Kurse, duke u përgjigjur në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarit, avokati Asman Hoxha, se deficiti prej 19.000 euro a ka të bëj me ekspertizën totale apo vetëm të dëftesave origjinale, eksperti shtoi se ky deficit është i ekspertizës totale, ndërsa deficiti në bazë të dëftesave origjinale është 4.903.61 euro.
Në seancën e së martës, në cilësi të dëshmitarëve janë dëgjuar edhe tre ish-kolegë të të akuzuarit, Mirlinda Ramadani-Hajdari, Shaip Elshani dhe Agim Topqideri.
Ata janë pyetur nga prokurorja Ervehe Gashi, se nëse gjatë detyrës së tyre si arkëtarë kanë vërejtur ndonjë mospërputhje të dorëzimit të pazarit të mjeteve të inkasuara nga tani i akuzuari, Hafir Gallapeni.
Dëshmitarja Mirlinda Ramadani-Hasani, ka thënë se inkasantët së pari dëftesat i dorëzojnë tek faturistët, të cilët e zbresin shumën e paguar nga konsumatorët, ndërsa inkasantët, sipas saj, me test raport i dorëzojnë mjetet e inkasuara.
“Jo nuk më ka dhënë asnjë mundësi të vogël që me dyshu, pasi asnjëherë, test raportet e dorëzuara nga Gallapeni dhe paratë nuk kanë pasur asnjë mospërputhje”, tha Hasani.
Kurse, dëshmitari tjetër, Shaip Elshani, ka deklaruar gjatë periudhës sa ka qenë në detyrë të arkëtarit nuk ka hasur në ndonjë parregullsi apo ankesë ndaj të akuzuarit Gallapeni.
Gjithashtu edhe dëshmitari Ahmet Topqideri, ka deklaruar se nuk ka vërejtur mospërputhje pasi që së pari inkasantët sipas tij, dorëzojnë dëftesat te faturistët, e pas barazimit me ta, me test faturë, bëjnë dorëzimin e të hollave në arkë.
Ndërsa, në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarit, avokatit Asman Hoxha, drejtuar dëshmitarit Elshani se gjatë periudhës sa ka kryer punët e arkëtarit, është bërë ndonjë kontroll, duke i krahasuar dëftesat që i ka dorëzuar në bllok të harxhuar dhe paratë e dorëzuara, dëshmitari deklaroi se jo.
“Jo pasi që nuk është kompetencë e arkëtarit”, tha dëshmitari Elshani.
Ndërkaq, në mungesë të dëshmitarit Hysni Ahmeti, i cili me parashtresë kishte informuar gjykatën se për shkak të angazhimeve nuk mund të jetë prezent, trupi gjykues e ka ndërprerë seancën e së martës, dhe seancën e radhës e ka caktuar më 1 nëntor 2019, në ora 10:00.
Ndryshe, më 3 mars të vitit 2016, Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve Hafir Gallopeni, Faik Berisha, Isen Ramanaj dhe Dardan Gashi, për veprën penale “përvetësimi në detyrë”.
Ata akuzohen se në cilësi të inkasantëve në kompaninë e ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor”, nga periudha mars 2013 – maj 2015, nuk e kanë dorëzuar të gjithë shumën e inkasuar nga konsumatorët, duke i shkaktuar kompanisë në fjalë dëm në vlerë rreth 26 mijë euro.
Mirëpo, të akuzuarit Faik Berisha, Isen Ramanaj dhe Dardan Gashi, pas ngritjes së aktakuzës, kanë arritur marrëveshje mbi pranimin e fajësisë, me organin e akuzës, ndërsa i akuzuari Hafir Gallopeni, nuk ka arritur një marrëveshje të tillë, andaj për të njëjtin procesi gjyqësor ka vazhduar ndaras. /BetimipërDrejtësi