Prizren: Gjykimi ndaj ish-drejtoreshës së Inspekcionit dhe inspektorit të ndërtimit në Suharekë, dëshmitari thotë se objekti i tij ishte rrënuar tërësisht

Në Gjykatën Themelore në Prizren, në gjykimin ndaj të akuzuarve Jehona Rrafshi- Lumi dhe Hafir Maliqaj, të premten është dëgjuar dëshmitari Blerim Gashi, i cili ka thënë se objektin e tij Inspekcioni ia kishte rrënuar tërësisht.

“Po, komplet ka qenë i rrënuar…ne rindërtimin e kemi filluar nga zero, pasi që nuk kemi mundur të shfrytëzojmë asgjë nga ndërtimi i mëhershëm i rrënuar” ka thënë dëshmitari Gashi.

Prokurori Metush Biraj e pyeti se cila ka qenë arsyeja që më 29 maj 2020, iu është rrënuar objekti afarist nga inspekcioni i ndërtimtarisë, kurse dëshmitari Gashi ka thënë se rrënimi është bërë pasi që si investitor nuk ka qenë i pajisur me leje ndërtimore dhe pandemia ia kishte pamundësuar marrjen e saj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I pyetur për arsyen e rindërtimit të objektit pas rrënimit të tij më 20 maj 2020, dëshmitari tha se rindërtimin e kanë bërë duke qenë të sigurt që do të siguronin lejen ndërtimore.

Ai ka treguar se rindërtimi i objektit është bërë për një periudhë 20 ditore dhe se për këtë inspekcioni i ndërtimit kishin qenë për kontroll në vend të ngjarjes disa herë.

Tutje, Gashi ka thënë se nuk kishte qenë personalisht gjatë kontrollit së Inspekcionit, por për këtë është njoftuar nga familjarët.

Duke u përgjigjur në pyetjet e të akuzuarës Rafshi-Lumi, avokatit Hajrip Krasniqi, dëshmitari ka thënë se posedon kontratë të shfrytëzimit të parcelave të kompanisë “Agro Kosova Holding” në afat prej 20 viteve me mundësi vazhdimi edhe për 20 vite të tjera.

Kurse, duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të të akuzuarit Maliqaj, avokatit Fatmir Jëlliqi, dëshmitari Gashi ka pohuar faktin se kanë dëmtuar shiritat e vendosur nga Inspekcioni dhe se për këtë është dënuar.

Në fund, Gashi ka thënë se ende nuk posedojnë leje të ndërtimit për objektin afarist në të cilin bëjnë prodhimin e dyerve dhe dritareve.

Seanca e radhës në këtë rast do të mbahet sipas ditarit të punës më 21 nëntor 2022.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit, të ngritur më 19 prill 2021, e akuzuara Jehona Rrafshi-Lumi ngarkohet me veprën penale të “Keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa i akuzuar Hafir Maliqaj, ngarkohet me dy vepra penale të “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në aktakuzë thuhet se akuzuara Rrafshi-Luma, duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e pastaj nuk e përmbush detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër.

Aktakuza thotë se në vend të inspektorit të ndërtimtarisë, në cilësinë e drejtoreshës së Drejtorisë së Inspekcionit të Komunës se Suharekës, nxjerr konkluzion 09 Nr.109, të datës 26 maj 2020, e pastaj më 29 maj 2020 në vendngjarje në parcelat kadastrale nr.2667-0 dhe 2685-0 , pronë e të dëmtuarës “AgroKosova – Holding ” , në rrugën “Ukë Bytyqi” në lagjen Shirokë të Suharekës, udhëheq me procedurën dhe në kundërshtim me frymën e konkluzionit, nuk e rrënon në tërësi objektin afarist të ndërtuar pa leje, të investitorit Blerim Gashi dhe kësisoj i shkakton dëm material ose ia shkel të drejtat e të dëmtuarës.

Për këtë, ajo po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 1 e lidhur me paragrafin 3 pika 3.6 të KPRK.

Ndërsa, i pandehuri Hafir Maliqaj po akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare nuk i përmbush detyrat zyrtare me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër.

Sipas aktakuzës, pas 29 majit 2020, si inspektor i ndërtimtarisë në Drejtorinë e Inspekcionit të Komunës se Suharekës, nuk ndërmerr masa ligjore për pengimin e rindërtimit pa leje të objektit afarist, i ndërtuar nga investitori Blerim Gashi në parcelat kadastrale 2667-0 dhe 2685-0, pronë e të dëmtuarës “Agrokosova – Holding” në rrugën “Ukë Bytyqi”, në lagjen Shirokë të Suharekës, duke u mjaftuar vetëm me nxjerrjen me vonesë të një urdhër ekzekutimi të lëshuar nga drejtoresha e Drejtorisë së Inspekcionit 09 Nr.2076, më 30 nëntor 2020, pasi ka përfunduar ndërtimi dhe me këtë të dëmtuarës i është shkaktuar dëm material ose shkelur të drejtat e saj.

Për këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 paragrafi 1 të KPRK.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i akuzuari Hafir Maliqaj si person zyrtar duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar nuk i përmbush detyrat zyrtare me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër, në atë mënyrë që nuk vepron sipas urdhrit të aktvendimit të lëshuar vete më 20 gusht 2020, që në afatin e lejuar prej 15 ditëve të pajiset me leje ndërtimi.

Në aktakuzë thuhet se gjatë këtij afati njëherit t’a mbikëqyrë dhe pengojë investitorin Xhevdet Rexhepin, pronar i objektit afarist “Viva Fresh” në fshatin Reshtan – Komuna e Suharekës, që të vazhdojë me ndërtim, por përveç që nuk e bën këtë, po ashtu del me vonesë në vend të ngjarjes më 28 shtator 2020, ku në procesverbalin e hartuar të datës 28 shtator 2020, pasi urdhëron ndërprerjen e punimeve në vend që të ndërmerr masa që investitorit t’i lejojë afat për trenim vullnetar e pastaj eventualisht për rrënim të detyrueshëm, përsëri i jep afat shtesë por tani më të gjatë prej 30 ditëve që të pajiset me leje ndërtimi, me të cilat veprime i ka shkaktuar dëm material komunës së Suharekës.

Për këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 1 të KPRK. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.