28-11-2024

Prizren: Gjykimi për korrupsion ndaj ish-drejtorëve, i dëmtuari thotë se njëri nga të akuzuarit ka lidhje familjare me përfituesen

I dëmtuari Albert Doçi ka thënë se ish-drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prizrenit, Levent Kasemi ka lidhje familjare me përfituesen e ankandit publik për shfrytëzimin me qira të lokaleve-pronave komunale, Fatmire Berisha.

Një deklaratë të tillë, Doçi e ka dhënë në seancën gjyqësore të mbajtur të enjten, në Gjykatën Themelore në Prizren, në rastin ku i akuzuari Kasemi, ish-drejtori për Punë dhe Mirëqenie Sociale, Fejzë Kabashi, si dhe ish-drejtori për Kadastër dhe Gjeodezi, Refki Shaqiri, po akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Për të njëjtën vepër penale po akuzohet edhe asamblistja në Kuvendin Komunal të Prizrenit, Ganimete Babuna, si dhe drejtori i Fondacionit “Lumbardhi”, Ares Shporta, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ata akuzohen se si anëtarë të komisionit për dhënie në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës së Prizrenit, në mënyrë të kundërligjshme kanë dhënë në shfrytëzim pronën komunale që ndodhet në sheshin “Shatërvan”.

Fillimisht, i dëmtuari Albert Doçi theksoi se mbetet pranë deklaratave të dhëna pranë Prokurorisë dhe Policisë dhe theksoi se lokalin në fjalë e ka pasur në posedim nga fundi i vitit 2014 e deri në vitin 2018 që e kishte marrë përmes ankandit publik e në të cilin kishte ofruar çmimin më të lartë.

Tutje, Doçi deklaroi se në ankandin publik të fundit nuk iu ka vazhduar kontrata, edhe pse ai në tërësi kishte paguar të gjitha faturat e shpenzimeve komunale në emër të biznesit, qiranë dhe obligimi ndaj ATK-së ku i ishte kërkuar edhe si kusht.

Po ashtu, ai tha se pakënaqësitë e tij lidhur me përcaktimin e fituesit të ankandit publik ishin sepse ai kishte dhënë çmimin më të lartë dhe pikërisht sipas çmimit më të lartë edhe e kishte fituar lokalin për periudhën 2014-2018, por që një gjë e tillë nuk kishte ndodhur në ankandin e fundit publik pasi nuk ishte marrë për bazë çmimi më i lartë, e as pagesat e rregullta të qirasë.

Ai tha se arsyeja se pse ka dyshuar tek anëtari i komisionit, tani i akuzuari Levent Kasëmi ishte sepse edhe pse kishte bërë ankesë ndaj vendimit të komisionit lidhur me shpalljen e fituesit dhe se po ajo ankesë i ishte pranuar nga shkalla e dytë, përsëri komisioni kishte mbetur pranë vendimit të mëparshëm.

Doçi tha se arsyeja se pse ai mendon se këtë ankand e ka fituar Fatmire Berisha, ishte sepse Levent Kasëmi ka lidhje familjare me të.

Në fund theksoi se sipas bisedave që kishte pasur me miq dhe shfrytëzues të lokaleve në pronësi të Komunës, ata që kanë pasur lokalin me qira paraprakisht kanë përparësi para të tjerëve por në rastin konkret nuk ka vlejtur dhe theksoi se akoma nuk e di se sipas cilit kriter ishte shpallur fituese e ankandit publik Fatmire Berisha e jo ai.

Seancat e radhës janë caktuar më 29 dhe 30 shtator 2021, në ora 09:00, ku pritet të dëgjohen dëshmitarët Kastriot Krasniqi dhe zyrtari i prokurimit në Prizren, Isa Osmankaj.

Sipas aktakuzës së ngritur më 29 nëntor 2019 nga Prokuroria Themelore e Prizrenit, të pandehurit Kasemi, Kabashi, Shaqiri, Shporta dhe Babuna akuzohen se më 18 mars 2019, nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë për personin tjetër, apo që t’i shkaktojnë dëm personit tjetër.

Siç thuhet në aktakuzë, duke qenë pjesë e komisionit për dhënie në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës së Prizrenit, në bashkëkryerje me dashje kanë shkelur kriterin e vetëm të Ankandit Publik, gjegjësisht nenin 5, paragrafi 3 të ligjit nr.04/L-144, ku theksohet se procedura për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës komunale bëhet përmes Ankandit Publik, dhe akteve nënligjore, ku theksohet se përzgjedhja e fituesit bëhet në bazë të një kriteri dhe atë të çmimit më të lartë të ofruar.

Në aktakuzë thuhet se duke vepruar në këtë mënyrë, të njëjtit kanë shkelur të drejtat e të dëmtuarit Albert Doqi, duke përzgjedhur si shfrytëzuese ofertuesen Fatmire Berisha, përkundër faktit se i dëmtuari Doqi kishte kuotuar çmimin më të lartë, gjegjësisht shumën 25.20 euro për m2, për lokalin nr.29, i cili gjendet në sheshin “Shatërvan”, por i njëjti lokali i është dhënë në shfrytëzim ofertueses Berisha, me çmim pre 20.06 euro për m2.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit përkundër faktit se në bazë të dokumentacionit të prezantuar dëshmohet se përfituesja Fatmire Berisha nuk ka pasur përvojë në menaxhim dhe zhvillim të biznesit, komisioni për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës komunale në Prizren, të njëjtën e ka poentuar me pikë maksimale.

Sipas aktakuzës, më pas komisioni për ankesa pranë Kuvendit Komunal në Prizren, e kishte aprovuar kërkesën e palës së dëmtuar, ku më 28 shkurt 2019 ka anuluar vendimin e këtij komisioni duke e dërguar çështjen në rishqyrtim, por përkundër këtij fakti, Komisioni përmes njoftimit të datës 1 prill 2019 ka potencuar se qëndrojnë pranë njoftimit të datës 17 janar 2019, ku janë shpallur fituesit e ankandit për shfrytëzimin me qira të lokaleve-pronë komunale.

Për këtë, ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1, lidhur me paragrafin 2, pika 2.6, e lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.