FSK i ofron ndihmë Gjermanisë pas përmbytjeve që morën jetën e rreth 40 njerëzve

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka telefonuar ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde dhe i ka shprehur ngushëllime në emër të popullit të Kosovës për viktimat e përmbytjeve që kanë marrë jetën e rreth 40 personave ndërkohë që shumë persona janë ende në kërkim.

Përmes një letre, Mehaj i ka ofruar ndihmën e ushtarëve të Kosovës ambasadorit gjerman.

“Qytetarë të mi të dashur, pas lajmit të dhimbshëm për pasojat e përmbytjeve në Gjermani, menjëherë kam telefonuar ambasadorin gjerman në Kosovë, z.Rohde, të cilit i shpreha ngushllimet në emër të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së si dhe vullnetin tonë të plotë për të mbështetur institucionet gjermane me aftësitë dhe kapacitetet tona operacionale në disponim për menaxhimin, tejkalimin dhe sanimin e gjendjes së krijuar nga përmbytjet e sotme”, ka thënë Mehaj.

“Vullnetin tonë të plotë për dislokim të njësive tona të specializuara me personel dhe pajisje adekuate në zonat e përmbytura në Gjermani e kam adresuar edhe përmes Letrës zyrtare si më poshtë”, ka shtuar ai.

Kjo është letra e plotë drejtuar Rohde:

Shkëlqesia juaj Z. Rohde,

Në emër të Ministrisë së Mbrojtjes, më vjen shumë keq që dëgjoj për përmbytjet e rënda që po marrin jetë dhe për ata që janë zhdukur për shkak të kësaj katastrofe natyrore tronditëse.

Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës shprehin gatishmërinë tonë për të ndihmuar banorët e bllokuar të rajonit me çdo njësi që kemi në dispozicion. Ne jemi të gatshëm ta ndihmojmë Gjermaninë në këtë kohë të vështirë, veçanërisht me njësitë tona të kërkimit dhe shpëtimit.

Ju lutemi ta dini se Kosova është e gatshme të ndihmojë gjatë kësaj kohe të vështirë me të gjitha mjetet që kemi në dispozicion.

Mendimet dhe lutjet tona janë me njerëzit dhe Qeverinë e Gjermanisë “.

Sinqerisht,

Armend MEHAJ,

Ministri i Mbrojtjes

Republika e Kosovës. /GE