Prizren: Spitali nis trajtimin e infarktit me ndërhyrje direkte koronare, 16 pacientë të shpëtuar me sukses
Në Spitalin e Prizrenit nis trajtimi i infarktit akut të miokardit me intervenime koronare direkte, 16 pacientë të trajtuar me sukses.
Refeuar njoftimit, Spitali i Përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa” në Prizren ka shënuar një avancim të rëndësishëm në fushën e Kardiologjisë Intervenuese, duke filluar për herë të parë trajtimin e infarktit akut të miokardit përmes intervenimeve koronare perkutane (PCI).

Deri më tani 16 pacientë me infarkt akut të miokardit janë trajtuar me sukses përmes kësaj metode. Po ashtu, kanë filluar edhe procedurat elektive të koronarografisë dhe intervenimeve koronare, ku 10 pacientë të referuar nga QKUK-ja kanë kryer koronarografi në Spitalin e Prizrenit.
Ky avancim konsiderohet një hap i rëndësishëm në fuqizimin e kapaciteteve shëndetësore, decentralizimin e shërbimeve të specializuara dhe përmirësimin e qasjes së pacientëve në trajtim, duke mundësuar ofrimin e shërbimeve më afër vendbanimit të tyre.

Nga Spitali i Përgjithshëm i Prizrenit kanë vlerësuar profesionalizmin, përkushtimin dhe angazhimin e ekipit të Kardiologjisë Intervenuese dhe të gjithë profesionistëve shëndetësorë që kanë kontribuar në këtë avancim, duke theksuar se synimi mbetet rritja e cilësisë së trajtimit dhe ofrimi i kujdesit shëndetësor në kohën dhe vendin e duhur.




