25-11-2024

Prizren: Gjykimi për krime lufte ndaj R.Shalës, dëshmitari thotë se emri i Haxhi Përteshit ishte lakuar si bashkëpunëtor i Serbisë

Dëshmitari Shefki Bujari tha se emri i Haxhi Përteshit ishte lakuar si bashkëpunëtor i Serbisë nga shumë ushtarë derisa ishte në pozicione në Javor në fillim të janarit 1999, por thotë se kjo kishte ndodhur pas vasjes së tij.

Këtë deklaratë, Bujari e ka dhënë të martën, në gjykimin ku Remzi Shala, i njohuri si komandant “Molla e Kuqe” po akuzohet se së bashku me disa pjesëtarë tjerë të paidentifikuar e kishin marrë Përteshin nga shtëpia e tij e ku më pas Përteshi ishte gjetur i vdekur.

Dëshmitari Shefki Bujari deklaroi se për çdo gjë që ka ndodhur në Duhël prej tetorit 1998 e deri në fund të luftës i ka raportuar përgjegjësit të tij Zenel Zekollit. Ai shtoi se as para lufte e pas lufte nuk ka dëgjuar që ndonjë qytetar i Duhlës të jetë maltretuar nga forcat serbe për shkak të Haxhi Përteshit si bashkëpunëtor.

Tutje ai deklaroi se gjatë gjithë kohës kanë qenë të injoruar, pasi që edhe ushtarët nga rrethinat e tjera i kanë quajtur që ushtarët e Duhlës jemi bashkëpunëtor të serbëve, ku është lakuar emri i Haxhi Përteshit, raporton BetimipërDrejtësi.

Dëshmitari Bujari tha se në janar 1999 kanë ardhur 10 persona me uniformë të UÇK-së me maska të zeza si kapele, te shtëpia e tij, të gjithë të armatosur, ku kanë kërkuar me ndalë një autobus, i cili ishte në relacionin Prizren- Beograd, mirëpo i njëjti tha se nuk ka pranuar e pastaj ata kanë propozuar që të shkojnë te lagja e Sopës për me e arrestuar Xhemajli Elshanin e pastaj me ekzekutu atë, por përsëri ai tha se nuk kishte pranuar.

Ai tha se kur i ka treguar se është përgjegjës në atë zonë, ata ushtarët janë thirrur kinse kanë ardhur në mënyrë individuale, mirëpo paraprakisht ishin thirrur se janë ardhur në emër të shtabit të përgjithshëm.

Po ashtu, ai shtoi se atij i kanë dhënë një letër me 7 data se Xhemajl Elshani ishte takuar me serbë dhe kur e kishte pyetur Xhemajlin se përse ishte takuar me serbët, ai i kishte thënë se kishte vajzën me epilepsi dhe vajzën e madhe në Zvicër ku ka kërkuar që t’i sigurojë një pasaportë për ta dërguar atje. Ai tha se Xhemajl Elshani dy herë ishte arrestuar më herët nga forcat policore serbe, por arsyen nuk e di.

Dëshmitari Bujari deklaroi se lagja Sopa ka qenë rast mjerimi për civilët të cilët janë arrestuar, keqtrajtuar, etj; nga të cilët ai beson se ishin ushtarë të UÇK-së nga të gjitha anët dhe se për rastin kur është lakuar emri i Haxhi Përteshit si spiun është lakuar pas vrasjes së tij, pra në Javor në fillim të janarit 1999.

Në fund tha se gjatë kohës së luftës, në Duhël, nga forcat serbe kishte pasur 11 civilë të vrarë dhe 12 të arrestuar dhe se Haxhi Përteshi kishte vdekur më herët se Xhemajli Qatani, por nuk ka shënime se kush e ka vrarë Haxhi Përteshin.

Pas kësaj, seanca e sotme përfundoi dhe e njëjta vazhdon nesër sipas orarit të gjykatës.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prizren, në korrik të 2019-ës, kishte marrë aktgjykim, me të cilin të akuzuarin Shala e kishte shpallur fajtor për veprën penale krime lufte kundër popullatës civile, duke e dënuar me 14 vjet burg.

Pas ankesës së mbrojtjes, Gjykata e Apelit e kishte ndryshuar aktgjykimin e shkallës së parë, duke ia zbritur dënimin Shalës në 10 vjet burgim.

Kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatë Supreme kishte parashtruar mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Natal Bullakaj.

Gjykata Supreme, në maj të vitit 2020 e kishte kthyer rastin në rigjykim në shkallën e parë.

Ish-komandanti i UÇK-së, i njohur si komandant “Molla e Kuqe”, akuzohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), për vrasjen e një civili gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Shala akuzohet nga PSRK se gjatë kohës së luftës në Kosovë, më 26 qershor 1998, duke vepruar si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), së bashku edhe me disa pjesëtarë tjerë të paidentifikuar, kanë marrë nga shtëpia e tij, viktimën Haxhi Përteshi.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Remzi Shala, i cili ishte i vetmi pa maskë në kokë, së bashku edhe me 5-6 pjesëtarë tjerë të UÇK-së, të maskuar, nën dyshimin se i ndjeri ishte bashkëpunëtorë i forcave serbe, kanë shkuar në fshatin Duhël dhe të njëjtin e kanë dërguar në një vend të panjohur.

Në aktakuzë thuhet se djali i viktimës, Agron Përteshi, i kishte parë ata të largoheshin, së bashku me babanë e tij, në drejtim të fshatit Grajqevc dhe pas disa dite trupi i pajetë i të ndjerit ishte gjetur në afërsi të rrugës, afër qendrës së fshatit Duhël. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.