19-05-2024

Prizren: Gjykimi për krime lufte ndaj Remzi Shalës, dëgjohen edhe dy dëshmitarë të tjerë

Në seancën e së premtes në Gjykatën Themelore në Prizren, janë dëgjuar dëshmitarët Isuf Iballi dhe Haki Përteshi të cilët dhanë dëshminë e tyre lidhur me gjykimin për krime lufte ndaj Komandant Molla e Kuqe – Remzi Shalës.

Dëshmitari Isuf Iballi deklaroi se qëndron pranë deklaratës së dhënë më parë dhe shtoi se në UÇK ishte kyçur në fund të majit në fshatin Temeqinë.

Po ashtu ai deklaroi se Komandant “Molla e Kuqe” nuk e kishte njohur dhe se për të nuk kishte dëgjuar sa ishte i vendosur në fshatin Temeqinë e pastaj në Bllacë dhe se për nofkën “ Molla Kuqe kishte dëgjuar vetëm pas luftës.

Ai tha se fshati Duhël ka qenë në pikën e Grejqevcit dhe komandant ka qenë Jetulla Qarri- Komanadant Guri, raportoi BetimipërDrejtësi. Ai shtoi se e din që Haxhi Përteshin e kanë vra mirëpo se nuk e din se kush është marrë me spiunazh për serbët në kohë lufte dhe se e din se 23Përteshi s’ka qenë spiun.

Tutje në gjykimin e sotëm është dëgjuar edhe dëshmitari Haki Përteshi i  cili deklaroi se qëndron pranë deklaratave të dhëna më herët dhe tha se të akuzuarin Remzi Shala e kishte identifikuar në odën e Rifat Qatanit në mbledhjen që është mbajtur atëherë e po ashtu bashkë kishin punuar në istikame por për të cilin nuk e ka ditur se çfarë roli ka.

Dëshmitari Haki tha se Remzi Shalën nuk e kishte dëgjuar të kishte dhënë ndonjë urdhër ndaj ndonjë ushtari tjetër.

Në fund shtoi se Xhem Kapetani ishte ai që ka qenë në shoqëri me Remzi Shalën në mbledhjen që është organizuar në odën e Rifat Qatanit ku edhe e kishin refuzuar shërbimin e Haxhi Përteshit  dhe marrur Xhemajli Elshanit dhe se në atë mbledhje pjesëtarët e UÇK-së ishin së bashku me Hajdar Qatanin, Bajram Qatanin, dhe Sherif Qatanin.

Për shkak të përfundimit të orarit të punës, seanca e sotme është ndërprerë dhe e njëjta do të vazhdojë me 14 mars 2022.

Pas ankesës së mbrojtjes, Gjykata e Apelit e kishte ndryshuar aktgjykimin e shkallës së parë, duke ia zbritur dënimin Shalës në 10 vjet burgim.

Kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatë Supreme kishte parashtruar mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Natal Bullakaj.

Gjykata Supreme, në maj të vitit 2020 e kishte kthyer rastin në rigjykim në shkallën e parë.

Ish-komandanti i UÇK-së, i njohur si komandant “Molla e Kuqe”, akuzohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), për vrasjen e një civili gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Shala akuzohet nga PSRK se gjatë kohës së luftës në Kosovë, më 26 qershor 1998, duke vepruar si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), së bashku edhe me disa pjesëtarë tjerë të paidentifikuar, kanë marrë nga shtëpia e tij, viktimën Haxhi Përteshi.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Remzi Shala, i cili ishte i vetmi pa maskë në kokë, së bashku edhe me 5-6 pjesëtarë tjerë të UÇK-së, të maskuar, nën dyshimin se i ndjeri ishte bashkëpunëtorë i forcave serbe, kanë shkuar në fshatin Duhël dhe të njëjtin e kanë dërguar në një vend të panjohur.

Në aktakuzë thuhet se djali i viktimës, Agron Përteshi, i kishte parë ata të largoheshin, së bashku me babanë e tij, në drejtim të fshatit Grajqevc dhe pas disa dite trupi i pajetë i të ndjerit ishte gjetur në afërsi të rrugës, afër qendrës së fshatit Duhël. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.