Prizren: Gjykimi për therjen tek “Tranziti i ri” i Prizrenit, aprovohet propozimi për ekzaminim psikiatrik për njërin të akuzuar
Gjykata Themelore në Prizren, të mërkurën, ka aprovuar propozimin e mbrojtësit të të akuzuarit Orhan Ademaj, avokatit Blerim Mazreku, për kryerjen e ekzaminimit psikiatrik ndaj të mbrojturit të tij.
Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Raima Elezi ka thënë se do të lëshohet urdhëresa për ekzaiminimin psiktiatrik për të akuzuarin Ademaj, pranë Institutit të Psikiatrisë Forenzike të Kosovës (IPFK), raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në këtë rast, Orhan dhe Albert Ademaj, akuzohen se më 1 maj 2020 në Prizren, saktësisht në rrugën “Ismail Kryeziu” tek i ashtuquajturi “Tranziti i ri”, në bashkëkryerje me dashje nga motivi i hakmarrjes, privojnë nga jeta tani të ndjerin M.K.
Këtë propozim, prokurori Genc Nixha e ka cilësuar si kërkesë me qëllim të prolongimit të rastit, ndërsa qëndrimin e prokurorit e ka përkrahur përfaqësuesi i palë së dëmtuar, avokati Sylë Hoxha.
Paraprakisht, në këtë seancë me kërkesën e prokurorit Nixha është bërë ballafaqimi i dëshmitarëve Aziz Ademaj dhe Pajtim Kurtishaj.
Dëshmitari Ademaj ka thënë se qëndron pranë deklaratës së dhënë më 11 nëntor 2022 pranë kësaj gjykate, ku kishte deklaruar se Kurtishaj kishte shkuar në shtëpinë e tij me personin Muhamet Gjigolli.
Tutje, Ademaj tha se atyre u kishte kërkuar të hynin në shtëpinë e tij, mirëpo nuk kishin pranuar një gjë të tillë dhe se Kurtishaj kishte qenë vetëm një herë në shtëpinë e tij për të kërkuar pajtim.
Ndërsa, dëshmitari Kurtishaj ka thënë se personi i quajtur Meti, i kishte treguar vendndodhjen e shtëpisë së familjes Ademaj e që biseda mes tij dhe dëshmitarit ishte bërë në rrugë.
Kurtishaj ka treguar se kishte shkuar për pajtim për mosmarrëveshjen që kishte ndodhur mes vëllait të tij dhe të akuzuarit Orhan Ademaj.
Ai ka shtuar se dëshmitari Ademaj i kishte thënë se djalin e tij Albertin e kishte në paraburgim dhe se pa u konsultuar me familjarët nuk mund të flasë asgjë.
Po ashtu, Kurtishaj ka thënë se për pajtim e kishte dërguar edhe Reshat Mleqanin, por nga ata kanë marrë përgjigje të njëjtë.
Pas kësaj, prokurori Nixha ka propozuar që në cilësi të dëshmitarit të ftohet Reshat Mleqani, e që këtë propozim e ka aprovuar gjykatësja Elezi.
Po ashtu, mbrojtësi i të akuzuarit Albert Ademaj, avokati Hajrip Krasniqi ka ripërsëritur kërkesën e tij për transferimin e të mbrojturit të tij në Qendrën e Paraburgimit në Prizren dhe për të njëjtin ka kërkuar zëvendësimin e masës së paraburgimit në arrest shtëpiak.
Propozimin e avokatit Krasniqi, lidhur me zëvendësimin e masës, e ka refuzuar gjykatësja Elezi. Sa i përket kërkesës për transferimin e të akuzuarit në Prizren, ajo ka thënë se do të vendos jashtë seancës.
Seancat e radhës për këtë rast janë caktuar të mbahen më 21 dhe 22 shkurt 2023.
Ndryshe, Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të ngritur më 30 tetor 2020, Orhan Ademaj dhe Albert Ademaj, akuzohen se më 1 maj 2020 në Prizren, saktësisht në rrugën “Ismail Kryeziu” tek i ashtuquajturi “Tranziti i ri”, në bashkëkryerje me dashje nga motivi i hakmarrjes, privojnë nga jeta tani të ndjerin M.K.
Tutje sipas aktakuzës thuhet se ditën kritike derisa të pandehurit ishin në qarkullim me veturën e tyre të markës “Golf III”, të cilën ishte duke e drejtuar i pandehuri Albert Ademaj, në momentin që e vërejnë të ndjerin M.K, i cili ishte në cilësinë e pasagjerit në motoçikletën e dëshmitarit Miran Halili, i përcjellin me automjetin e tyre së pari në lagjen “Ortakoll” dhe iu afrohen motoçikletës.
Bazuar në aktakuzë, vetë dëshmitari Miran deklaron se ka vërejtur thikën në dorën e të pandehurit Orhan dhe me qëllim të shmangies së konfliktit eventual i njëjti duke e drejtuar motoçikletën lëviz në drejtim të lagjes “Arbanë”, gjithnjë duke u ndjekur pas nga të pandehurit, të cilët kanë qenë në veturën e tyre.
Sipas aktakuzës, kur arrijnë në rrugën “Ismail Kryeziu” tek i ashtuquajturi “Tranzit i ri” në Prizren, e cila rrugë nuk ka dalje e që vërehet nga kamerat e sigurisë të vendosura në shtëpitë përskaj rruge është regjistruar veprimi i të pandehurve, të cilët me automjetin e tyre iu janë vënë pas dhe e kanë goditur motoçikletën.
Thuhet se pas kësaj, i pandehuri Orhan pasi që del nga automjeti i afrohet të ndjerit M. dhe në konflikt me viktimën e godet me thikë në pjesën ballore të gjoksit, pas së cilës me të shpejtë kthehet në automjet dhe largohen nga vendi i ngjarjes derisa viktima duke e mbajtur dorën në plagën e shkaktuar, pas së cilës ka ardhë auto ambulanca – emergjenca në vendin e ngjarjes dhe viktima është dërguar në Spitalin Rajonal në Prizren.
Me këtë rast, sipas aktakuzës është vërtetuar se i njëjti në emergjencë ka arritur pa shenja jete, sipas raportit të mjekut kujdestar Sadri Hulaj me nr.3227, të datës 1 maj 2020.
Me këto veprime, Orhan dhe Albert Ademaj akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” për të cilën vepër penale parashihe dënim me jo më pak se 10 vite burgim ose me burgim të përjetshëm /BetimipërDrejtësi