Prizren: Gjykimi për vjedhjen në “Viva Fresh”, pronari i objektit thotë se ka shtënë me armë në vetëmbrojtje
Pronari i objektit në të cilin operon Qendra Tregtare “Viva Fresh Store”, i akuzuari Xhafer Ahmetaj tha se në natën kritike kishte shtënë me armë për të mbrojtur vetën dhe familjen nga grabitësit pasi që ishte ndjerë i rrezikuar.
Këtë deklarim, i akuzuari Ahmetaj e bëri të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prizren, ku ka dhënë mbrojtjen e tij, në rastin e vjedhjes grabitqare në “Viva Fresh Store” në Korishë të Prizrenit, ku ai po akuzohet për përdorim të armës.
Ndërsa për vjedhje grabitqare po ngarkohen Veton Krasniqi, Leotrim Sokoli, Ahmet Ahmetaj dhe Berat Sylaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në seancën e së mërkurës i akuzuari Ahmetaj tha se në këtë rast ndihet i dëmtuar dhe jo fajtorë pasi që qëllimi i gjuajtjes me armë ka qenë frikësimi i grabitësve.
“Pasi që kam dëgjuar një krismë të armës, unë pasi që e kam një revole me leje e kam marrë dhe kam gjuajtur disa herë në ajër, pasi që kam supozuar se personat në fjalë kur e dëgjojnë krismën e armës e ndjejnë rrezikun edhe largohen nga vendi i ngjarjes”, tha i akuzuari Ahemetaj, e cila gjë sipas tij, edhe kishte ndodhur në atë moment.
I akuzuari Ahmetaj tha se në natën kritike ishte së bashku me familjen e tij, bashkëshorten dhe dy fëmijët në katin e parë të objektit i cili ndodhet mbi Qendrën Tregtare “Viva Fresh Store”, andaj edhe grabitjen e kishin parë dhe dëgjuar nga ku edhe familjarët kishin marrë trauma.
“Ndihem i dëmtuar sepse fëmijët e mi edhe sot pasi që fillon mbrëmja, fillon të errësohet kur unë nuk jam në shtëpi, familja ime ka një frik dhe nuk ndihen rehat, për fëmijët e mi unë kam kërkuar edhe shërbim nga mjek psikiatër për rehabilitim”, tha i akuzuari Ahmetaj.
Ai i ka propozuar gjykatës edhe provat me të cilën vërtetohen pretendimet e tij, të cilat gjykata i ka aprovuar.
Duke u përgjigjur në pyetjen e mbrojtësit të akuzuarit Veton Krasniqi, avokatit Shemdin Bunjaku, i akuzuari Ahmetaj tha se Qendra Tregtare “Viva Fresh Store”, ishte grabitur edhe dy herë të tjera përveç këtij rasti.
Ndërsa në pyetjen e mbrojtësit të akuzuarit Leotrim Sokoli, avokatit Muhamet Shala, se a keni dëgjuar që për rastet tjera të vjedhjes të jetë arrestuar apo dënuar dikush, i akuzuari tha jo.
Fjala përfundimtare për këtë rast do të jepet me 23 mars 2022, ndërsa seanca e paraparë për datën 18 mars 2022 është anuluar.
Ndryshe, Veton Krasniqi, Leotrim Sokoli, Ahmet Ahmetaj dhe Berat Sylaj akuzohen se më 2 shtator 2020, në fshatin Korishë të Komunës së Prizrenit, në qendrën tregtare “Viva Fresh Store”, në bashkëveprim edhe me të miturin H.B., të zënë në befasi në kryerjen e aktit të vjedhjes, me qëllim pasurinë e vjedhur ta mbajnë, përdorin armën e zjarrit për ta sulmuar personin tjetër.
Në aktakuzë thuhet se Ahmet Ahmetaj duke pasur armën me vete si dhe duke përdorur forcën përmes një shufre metalike, në shoqërim të të miturit i cili ka pasur në dorë një kaçavidë, hapin derën e qendrës tregtare dhe të gjithë futen brenda, ku arrijnë të përvetësojnë një sasi të konsiderueshme të cigareve.
Gjatë daljes nga qendra tregtare thuhet se ata vërehen nga dëshmitari Xhafer Ahmetaj, i cili ishte edhe pronar i objektit, ku Ahmet Ahmetaj me të kuptuar që janë vërejtur nga pronari i objektit ka shkrepur me armë në ajër dhe më pas hipin në veturën “Renault Megane” dhe largohen në drejtim të panjohur, duke i shkaktuar kështu “Viva Fresh Store” dëm material.
Me këto veprime ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “vjedhja grabitqare” nga neni 316, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 31 të Kodit Penal.
Në dispozitivin e dytë të aktakuzës, thuhet se Xhafer Ahmetaj, gjatë kohës kur ka zënë të lartpërmendurit në flagrancë, ka përdorur armën e zjarrin në kundërshtim me ligjin, ndonëse për të njëjtën posedon leje nga organi kompetente.
Aty thuhet se derisa Ahmet Ahmetaj ka shtënë me armë zjarri në ajër për ta frikësuar Xhafer Ahmetajn, ky i fundit gjithashtu nga terasa e shtëpisë ku banon shtinë 4 herë me armë në ajër, nga frika për të dhe familjen e tij, me qëllim që t’i largojë të pandehurit.
Në fund, në aktin akuzues thuhet se posa policia arrijnë në vendin e ngjarjes, Xhemaj Ahmetajt ia sekuestrojnë armën në fjalë.
Me këtë ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 367, paragrafi 1 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç̧ nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.