19-05-2024

Prizren/ Grabitja e 10 mijë € në ‘Finca’, arrestohet personi i gabuar, del se edhe ai po kërkohej për rast tjetër

Para dy ditësh ka ndodhur një rast i grabitjes së armatosur në filialin e institucionit mikrofinanciar ‘Finca’ në Prizren. Një person i maskuar ka arritur që nën kërcënimin e armës t’i kap 10 mijë euro dhe më pas është zhdukur. Policia është vënë në lëvizje për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarit, por akoma nuk kanë arritur të bien në gjurmët e tij. Megjithatë, Policia e arrestoi një person që dyshonin se e kishte kryer grabitjen, por doli të jetë dikush tjetër.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije për Sinjalin se Policia ka kryer një aksion lidhur me arrestimin e një personi të dyshuar, të cilin arritën ta kapnin në shtëpinë e tij. Me urdhër të Prokurorit dhe aprovim të gjyqtarit, Policia Rajonale në Prizren ka kryer kontroll në shtëpinë e të dyshuarit A.A., i cili fillimisht ka tentuar të ikë duke kërcyer nga kati i dytë, por sërish ra në duart e Policisë.

Pasi i njëjti u shoqërua në stacion policor dhe u analizuan pamjet nga kamerat e sigurisë të lokalit ku ndodhi grabitja, u zbulua se nuk bëhej fjalë për të dyshuarin që kreu grabitjen e armatosur. Ndonëse Policia e liroi lidhur me këtë rast, ai sërish nuk shpëtoi.

Siç mëson Sinjali, A.A., pas verifikimit rezultoi se ishte në listën e personave të kërkuar dhe kjo bëri që Policia të vazhdojë me procedurat e tjera.

Në anën tjetër, lidhur me rastin e grabitjes, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të vazhdojnë hetimet për të mbledhur prova deri në identifikimin e personit të dyshuar dhe arrestimin e tij.

/GazetaSinjali/

Asnjë koment

Comments are closed.