Prizren: Grabitje e armatosur, pronari përleshet me hajdutin i cili gjuajti me pistoletë
Grabitjet e vjedhjet nëpër shtëpi e banesa përveç që po sjellin humbje të mëdha, po shkaktojnë edhe pasiguri e ankth te qytetarët, që shpesh përballen me hajdutët, të cilët i zënë në flagrancë. Kështu ka ndodhur në orët e para të ditës së sotme në një shtëpi në rrugën “Vetim Shala” në Prizren, raporton Gazeta Sinjali.
Rasti ka ndodhur në lagjen Ortakoll, ku pronari i një shtëpie ka kërkuar ndihmën e Policisë, pasi dyshohet se u ballafaqua me grabitësin, i cili përveç që ‘avulloi’ disa gjësende me vlerë, ai edhe gjuajti edhe me armë zjarri.
Bazuar në dëshminë e tij të dhënë para zyrtarëve policorë, i dyshuari kishte depërtuar brenda shtëpisë me forcë dhe e tmerroi kur papritmas i doli i maskuar dhe i armatosur. Ata fillimisht u përleshën me njëri-tjetrin, ku i dyshuari gjuaji me armë për ta zmbrapsur pronarin e shtëpisë.
Kështu ai arriti të ikë nga shtëpia me një çantë që e kishte grabitur, ku kishte gjëra me vlerë dhe u largua në drejtim të panjohur. Policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku është gjetur dhe sekuestruar gëzhoja, teksa kanë nisur kërkimet për ta identifikuar dhe arrestuar personin e dyshuar.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, lidhur me këtë rast kanë nisur hetimet për veprën penale “Grabitje”.
/GazetaSinjali/