Prizren: Granatë dore gjendet mbi veturë në oborrin e një shtëpie – evakuohen banorët
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se rasti është zbuluar më 23 korrik, rreth orës 08:30, në rrugën “Gani Saramati”, në pronën e Y. B. rreth 58-vjeç.
Pas pranimit të informatës, patrullat policore kanë dalë menjëherë në vendngjarje, ku kanë vërejtur granatën e pashpërthyer mbi veturën që ndodhej brenda oborrit.
Për shkak të rrezikut, banorët janë evakuuar, ndërsa Policia ka siguruar zonën dhe ka vendosur perimetrin e sigurisë. Në vendngjarje kanë dalë hetuesit, ekipet e forenzikës, Krimteknika dhe njësitë rajonale të hetimeve.
Burimet thonës se rreth orës 10:00 në vendngjarje ka arritur edhe njësiti për deminim, ndërsa rreth orës 11:00 granata është neutralizuar përmes një shpërthimi të kontrolluar.

Hetuesit kanë siguruar edhe pamje nga kamerat e sigurisë, të cilat pritet të analizohen për identifikimin e personit që dyshohet se e ka vendosur mjetin shpërthyes.
Motivi i ngjarjes dhe identiteti i të dyshuarit ende nuk dihen.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar për veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, ndërsa hetimet janë në vazhdim.


Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
