Njoftimet e kryetarit të Prizrenit, Mytaher Haskuka, lidhur me përfitimin e grantit të performancës nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, përkatësisht projekti “DEMOS” kanë nxitur reagimin e ish-drejtorit të Administratës, Ilir Baldedaj.
Haskuka pak ditë më parë ka njoftuar se Komuna e Prizrenit do të përfitojë afro 213 mijë euro nga ky grant i performancës, përderisa Baldedaj ka shprehur qëndrimin se po të kishte Komuna performancë të keqe vitin e kaluar, atëherë nuk do t’ishte miratuar granti në fjalë, shkruan sot Koha Ditore.
Haskuka fillimisht ka bërë të ditur se ka marrë një lajm të mirë nga MAPL-ja për përfitimin e grantit në vlerë prej 212 mijë e 681 eurosh, të cilin mund ta shpenzojë më 2018.
Ai ka theksuar se projekti “DEMOS” i financuar nga Agjencia Zvicerane për Bashkëpunim dhe Zhvillim do të ofrojë asistencë teknike për punonjësit e Komunës, me qëllim të përmirësimit të performancës.
“Me këtë grant Komuna do të ofrojë shërbime më cilësore për qytetarët e Komunës së Prizrenit, ndërsa do të shfrytëzohet për investime kapitale”, ka thënë Haskuka./koha.net