05-11-2024

Prizren: Gratë zejtare shpalosin produktet artizanale në panair

Panairi i tretë dedikuar grave zejtare në Prizren ka grumbulluar rreth 60 pjesëmarrëse që merren me punë artizanale. Pavarësisht sfidave me të cilat përballen, ato bëjnë përpjekje që t’i ruajnë teknikat tradicionale të punëdoreve, duke iu përshtatur edhe nevojave të kohës.

Zana Hoxha që merret me punimin e leshit për krijimin e qilimave tradicionalë thekson se puna ndonëse është e vështirë, megjithatë është edhe po aq e bukur pasi krijohen punime artizanale të vlefshme.

“Si çdo punë tjetër, edhe kjo kërkon vullnet dhe dëshirë. Nëse ke vullnet dhe dëshirë çdo gjë bëhet”, ka thënë ajo.

Hoxha ka theksuar se angazhohet në këtë artizanat për të ruajtur traditën e kamotshme.

“Unë kryesisht merrem me punimin e leshit, bëjë qilima tradicionalë, me qëllim që të ruajmë traditën tonë, sepse është diçka në zhdukje meqë nuk po punohet nga të rinjtë sado që ne mundohemi t’ua mësojmë”, është shprehur ajo për Telegrafin.

Ndërsa, organizimin e panairit e sheh si mundësi të mirë që gratë zejtare ti shpalosin produktet e tyre, por edhe të bashkëpunojnë me njëra tjetrën dhe ti shkëmbejnë përvojat.

Ky panair organizohet nga Oda e Prizrenit me partnerin  Handwerkskammer (HWK) Koblenz të Gjermanisë.

Drejtuesi i Odës së Prizrenit, Afrim Tejeci ka theksuar se panairi i tretë i grave zejtare mbahet me 28, 29 dhe 30 qershor, me përfaqësues të zejtareve nga vendi dhe rajoni.

“Ky panair ka për qëllim promovimin e vlerave artizanale dhe punës së zejtareve, meqë ne si Odë i japim rëndësi fuqizimit ekonomik të grave. Gruaja e pavarur ekonomikisht do të thotë potencial për zhvillimin e vendit”, ka thënë Tejeci, raporton Telegrafi.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde është shprehur i kënaqur me bashkëpunimin ndërmjet Odës së Prizrenit dhe Odës së Koblenzit, që sipas tij, sjell dobi kulturore por edhe ekonomike për qytetin e vjetër dhe për Kosovën.

Asnjë koment

Comments are closed.