20-04-2024

Prizren: I akuzuari nuk e pranon akuzën për vrasje në “Tusuz”

Haxhi Selmanaj është deklaruar i pafajshëm për akuzën se ka vrarë E.K në janar të 2020-ës në Prizren. Ai ka thënë se nuk mund ta pranojë fajësinë derisa i ka kërkuar falje palës së dëmtuar.

Deklarimi i Selmanajt ka ndodhur të premten në Gjykatën Themelore të Prizrenit pasi i ësht` lexuar aktakuza nga prokurori Genc Nixha, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Nuk muj me pranu fajësinë. Më vjen keq për vrasjen që ka ndodh por u kanë e momentit, nuk e kom bo me atë qëllim. I kërkoj falje palës së dëmtuar”, tha i akuzuari Selmanaj.

Prokurori Nixha tha se mbetet në tërësi pranë fjalës hyrëse të dhënë më 5 tetor 2020 dhe ka propozuar që kjo seancë të mbahet, të vërtetohen provat dhe i akuzuari të shpallet fajtor.

Po ashtu, përfaqësuesi i të dëmtuarit F.K, avokat Muhamet Shalaj ka thënë se qëndron në tërësi pranë fjalës hyrëse të dhënë më 5 tetor 2020 dhe ka shtuar se i mbrojturi i tij kërkon të parashtron kërkesë pasurore juridike.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Haxhi Selmanaj, avokat Esat Gutaj tha se së bashku me kolegun e tij Sylë Hoxha po ashtu mbrojtës i të akuzuarit Selamanaj qëndrojnë në tërësi pranë fjalës hyrëse të dhënë më 5 tetor 2020 dhe ka shtuar se mbrojtjen e tyre do ta mbështesin në kërkesat e parashtruara dhe nga vendimi i Gjykatës së Apelit.

Tutje, prokurori Nixha ka propozuar që të lexohet deklarata e të dëmtuarit Kryeziu e dhënë në shqyrtimin paraprak ku këtë propozim nuk e ka kundërshtuar avokati Shalaj si dhe avokatët Gutaj dhe Hoxha.

Ndërsa, avokati Gutaj ka propozuar që në cilësinë e dëshmitarit të dëgjohet Z.K pasi që sipas tij i njëjti është dëshmitar okular pasi që është edhe vërejtje e Gjykatës së Apelit.

Propozimin e avokatit Gutaj e ka kundërshtuar i dëmtuari F.K duke thënë se djali tij Z.Ki nuk është në gjendje të mirë shëndetësore që të japë deklaratë.

Gjithashtu, avokati Gutaj ka propozuar që të dëgjohet mjeku i qendrës së paraburgimit në Prizren, I.P që sipas tij i njëjti i ka dhënë ka dhënë tretman mjekësor të akuzuarit Selamanaj pas kryerjes së veprës penale dhe të deklarohet rreth gjendjes shëndetësore të tij.

Ai po ashtu ka propozuar që të bëhet rikonstruimi i vendit të ngjarjes ku është kryer vepra penale dhe ka thënë që kjo është vërejtje e tyre dhe e Gjykatës së Apelit.

Lidhur me propozimet e avokatit Gutaj, prokurori Nixha ka thënë se nuk e kundërshton propozimin e dëgjimit të dëshmitarit , mirëpo dëgjimin e mjekut I.P rreth deklarimit të gjendjes shëndetësore të akuzuarit Selmanaj e ka konsideruar të panevojshëm sepse sipas tij për ekzaminimin psikiatrik të tij gjykata do të vendoste drejtpërdrejt.

Po ashtu, prokurori Nixha tha se rikonstruimi i vendit të ngjarjes është edhe vërejtje e Gjykatës së Apelit dhe të njëjtën nuk e kundërshton.

Në fund, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Teuta Krusha ka aprovuar propozimin e mbrojtjes dëgjmin e dëshmitarit Z.K dhe dëgjimin e mjekut nga qendra e paraburgimit në Prizren, doktorr I.P.

Ndërsa sa i përket propozimit të mbrojtjes për rikonustrimin e vendit të ngjarjes gjykatësja Krusha tha se është i obligim i gjykatës që të respektoj vendimin e gjykatës së shkallës së dytë.

Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 19 tetor 2022.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prizren ka shpallur aktgjykim dënues më 26 maj 2021 duke e dënuar të akuzuarin Selmanaj me 20 vite burgim dhe 500 euro gjobë, mirëpo me vendimin e  Gjykatës së Apelit çështja është kthyer në rigjykim.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të ngritur më 15 korrik 2020, Haxhi Selmanaj akuzohet se më 26 janar 2020, në rrugën “Xhevat Berisha” në Prizren, ka privuar nga jeta tani të ndjerin E.K, në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje, fillimisht ka ardhur deri te konflikti fizik në mes të akuzuarit dhe dëshmitarit Z.K, vëllai i të ndjerit.

Në aktakuzë thuhet se tani i ndjeri ka qenë në market dhe kishte vërejtur se vëllai i tij ishte përfshirë në një konflikt me të akuzuarin, ku kishte dalë dhe ishte nisur në drejtim të të akuzuarit dhe në një moment i akuzuari e kishte nxjerrë thikën të cilën e ka pasur me vete dhe e kishte goditur tani të ndjerin në pjesën anësore të gjoksit, në afërsi të zemrës dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes, duke i shkaktuar vdekjen viktimës E.K.

Me këto veprime, Haxhi Selmanaj akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje”.

Ndërsa, sipas pikës së dytë të aktakuzës, i pandehuri akuzohet se me date, kohë dhe vend të njëjtë, pa leje valide nga organi i autorizuar shtetëror, mban në pronësi, kontroll ose posedim armën e ftohtë, në kundërshtim me ligjin për armët dhe atë një brisk hapës me dorezë “ngjyrë ushtarake”, i cili është sekuestruar nga ana e policisë.

Me këtë veprim, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.