25-04-2024

Prizren: I akuzuari për fajde nuk e pranon fajësinë

Të premten, në Gjykatën Themelore në Prizren është mbajtur shqyrtimi fillestar kundër të pandehurit L.Shala, i cili po akuzohet për veprën penale fajdeja.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Ervehe Gashi, i pandehuri Shala deklaroi se nuk e pranon fajësinë për veprën penale për të cilën po akuzohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mbrojtësi i të pandehurit Lekë Shala, avokati Miftar Qelaj deklaroi se do të  parashtroi edhe disa prova tjera të cilat janë propozuar në aktakuzë.

“Kërkoj që të parashtroj edhe disa prova tjera të cilat janë propozuar në aktakuzë dhe atë: Dëftesën e datës 15.05.2018, për vlerën prej 2000 euro. Marrëveshja për magazinimin e mallit në vlerë prej 10.800 euro, kontrata mbi këmbimin e paluajtshmërive e lidhur në mes Luan Morina dhe Rifat Kalimashi, e lidhur tek noteri si dhe dëftesa e cila është bashkangjitur ekspertizës”, deklaroi avokati Qelaj.

Gjyqtarja Teuta Krusha njoftoi të pandehurin Shala dhe mbrojtësin e tij, avokatin Qelaj që në afat prej 30 ditëve ka të drejtë të bëjë kundërshtimin e provave në të cilën mbështetet aktakuza, si hudhjen e aktakuzës.

Pasi nuk pati propozime të tjera, seanca u ndërpre, e njëjta u caktua të mbahet më 21 dhjetor 2020, në ora 13:15.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, e përpiluar më 21 prill 2020, i pandehuri Lekë Shala po akuzohet se më 25 korrik 2014, në Prizren, kontrakton një shumë dukshëm jo proporcionale në këmbim të shërbimit për personin tjetër.

Kështu që i pandehuri Shala, duke e ditur se i dëmtuari Mehmet Morina së bashku me vëllain e tij Luan Morina nga Prizreni, janë në gjendje të rëndë financiare, lidh kontratë mbi huan siç thuhet në aktakuzë.

Gjithnjë sipas aktit akuzues, Shala u jep hua shumën prej 290.000.00 euro, në afat prej dy viteve, duke përcaktuar që huan ta kthejnë në këste, kështu që prej 25 korrik 2015 shumën prej 50.000 euro, ndërsa shumën tjetër 240.000.00, ta kthejnë më 25 korrik të vitit 2016.

Tutje, në aktakuzë thuhet se nëse të dëmtuarit nuk mund ta kthejnë huan e deri në afatet e caktuara, ata duhet të paguajnë tërë shumën, apo pjesën e mbetur të pa paguar në afatin vijues deri më 31 dhjetor 2016.

Për këtë periudhë gjashtë mujore, në kundërshtim me nenin 328 të ligjit për marrëdhënie detyrimore u vendos kamatë vonesë prej 2%  për qind në muaj, e që kap shumën prej vjetore prej 24%.

Si pasoj e mos përmbushjes në tërësi të kësaj kontrate nga ana e të dëmtuarit, i akuzuari Shala nëpërmes përmbaruesit privat kërkon shitjen e paluajtshmërisë së lënë peng sipas kontratës, duke llogaritur se borxhi kryesor së bashku me të gjitha kamatat ka kapur shumën prej 324.682.00 euro, për të cilën vlerë edhe është shitur paluajtshmëria e lënë hipotekë, ku të dëmtuarit i shkakton dëm financiar në shumën prej 107.940.80 euro, thuhet në aktakuzë.

Sa i përket parcelës kadastrale e vlerësuar prej 700.000.00 euro, shitet në shumën prej 324.682.00 euro, duke i shkaktuar dëm të dëmtuairt në vlerën prej 162.341.00 euro, citohet në aktin akuzues.

Me këto veprime, i pandehuri Lekë Shala po akuzohet se ka kryer veprën penale fajdeja, nga neni 343, paragrafi 3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës./BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.