Prizren: I akuzuari thotë se ditën e grabitjes në ‘Western Union’ ishte në teqe
Në gjykimin për grabitjen në “Western Union” në Prizren më 2010, mbrojtjen sot e dha i akuzuari Remzi Kuqi.
Po ashtu, gjatë seancës së sotme në Gjykatën e Prizrenit janë shikuar CD-të me pamjet nga vendi i ngjarjes në momentin kur ka ndodhur grabitja nën kërcënimin e armëve.
Në këtë seancë, prokurori i shtetit dhe Betim Kadolli, avokat i të akuzuarit, e kanë dhënë fjalën përfundimtare.
Prokurori i shtetit fillimisht konsideroi se meqenëse ka dy ekspertiza të kundërta i propozoi trupit gjykues që incizimet nga CD-të e propozuara sipas aktakuzës të dërgohen në një qendër që posedon aparaturë dhe aftësi për të bërë krahasimin e dy CD-ve në mënyrë që të vërtetohet se a kemi të bëjmë me personin e njëjtë, pra me të akuzuarin Remzi Kuqi, në të dy rastet e grabitjes, andaj të bëhet dhe një super-ekspertizë që të vërtetohen sa më mirë dhe sa më drejtë të gjitha faktet lidhur me rastin.
Një propozim i këtillë u refuzua nga kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Artan Sejrani, me arsyetimin se prokurori i shtetit nuk e ka qartësuar se në cilin institucion apo vend mund të bëhet ky ekzaminim, pasi që tashmë rasti është në shqyrtim gjyqësor, e të gjitha këto veprime dhe qartësime Prokuroria është dashur të merret dhe të bëhen në fazën e hetimit.
Gjatë procedurës së provave, prokurori i shtetit Mehdi Sefa propozoi që të bëhej shikimi i CD-së nga ku janë marrë pamjet gjatë kohës kur ka ndodhur grabitja në “Western Union” në Prizren, si dhe propozoi që të bëhej shikimi i një CD-je tjetër të një rasti të grabitjes, rast për të cilin i akuzuari Remzi Kuqi është dënuar për veprën penale të grabitjes.
Sipas prokurorit të çështjes nga shikimi i këtyre CD-ve mund të vërtetohej që grabitjen e ka kryer i akuzuari Remzi Kuqi sipas aktakuzës, si dhe duke u bazuar në ekspertizën e Agjencisë së Drejtorisë së Forenzikës, nga eksperti Ruzhdi Zeneli, ka ardhur në përfundim nga krahasimet e bëra se kemi të bëjmë me personat e njëjtë në të dy rastet e grabitjes.
I akuzuari Remzi Kuqi, gjatë mbrojtes së dhënë deklaroi se në datën kur akuzohet se e ka kryer veprën penale të grabitjes, ka qenë duke i kryer ritet fetare sipas religjionit që i takon.
“Kam qenë në teqe, ku vizitohet nga të gjitha anët ku ka shqiptarë dhe bëhen faljet. Të njëjtat zgjasin 10 ditë dhe i thojnë muaji Matem”, tha i akuzuari.
Ndërsa sa i përket rastit për të cilin akuzohet ai deklaroi se më 23.11.2017 në shtëpinë e tij kishin ardhur zyrtarët policorë për ta marrë në pyetje lidhur me një grabitje dhe plagosje që kishte ndodhur atë ditë.
Mirëpo pas kontrollit dhe marrjes në pyetje, të njëjtit vërtetuan që Kuqi nuk kishte lidhje me rastin, por pas verifikimit doli se ndaj tij kishte një urdhër-arrest për rastin për të cilin gjendet sot në Gjykatë.
Në fjalën përfundimtare, prokurori i shtetit kërkoi nga Gjykata që duke u bazuar në provat e ofruara në aktakuzë si dhe nga shikimi i CD-ve u vërtetua që i akuzuari ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet, si dhe i propozoi Gjykatës që të njëjtin ta shpallë fajtor, si dhe që gjatë matjes së dënimit të merr parasysh rrethanat sipas dispozitave ligjore, dhe të merr parasysh personalitetin e të akuzuarit, të kaluarën e tij kriminale, si recidivist i veprave penale.
Mbrojtësi i të akzuarit Remzi Kuqi, avokati Betim Kadolli, deklaroi se duke parë rrjedhën e shqyrtimit gjyqësor, si dhe duke u bazuar në mungesën e fakteve dhe në aktakuzën e pabazuar mirë, kanë pritur që prokurori i çështjes të tërhiqet nga ndjekja penale, sepse është e qartë që nuk ka prova të bazuara mirë që i mbrojturi i tij ka kryer veprën penale.
Trupi gjykues i përbërë nga kryetari – gjyqtari Artan Sejrani, dhe gjyqtarët Xheladin Osmani dhe Nazim Vllaço, kanë caktuar datën 24 tetor për shpalljen e vendimit gjyqësor lidhur me këtë çështje.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, në vitin 2010, më 9 dhjetor, në lagjen Bazhdarhane në Prizren, të akuzuarit në agjencinë ”Western Union”, të njëjtit duke përdorur dhunën – armën, paraprakisht kishin vendosur maskat në kokë, të armatosur kanë hyrë tek sirtarët e tavolinës, ku gjendeshin paratë në shumën prej 5.000 eurosh, derisa i akuzuarit i dytë Besnik Veliaj, qëndronte tek dera i ka mundësuar të akuzuarit të parë Remzi Kuqi të grabitë paratë në vlerë prej 2.480 euro, më pastaj për t’u larguar nga vendi i ngjarjes, në këtë formë Remzi Kuqi, akuzohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale të grabitjes./kallxo.com/