28-01-2023

Prizren; I akuzuari thotë se përzgjedhja e fituesit të ankandit publik është bërë bazuar në ligj

Të akuzuarit Levent Kasemi, Fejzë Kabashi, Refik Shaqiri, Ganimete Barbuna, Ares Shporta, po akuzohen se kanë shkelur kriterin e Ankandit Publik, për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës komunale, ku të njëjtit kanë shkelur të drejtat e të dëmtuarit Albert Doqi, duke përzgjedhur si fituese Fatmire Berishën, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në pyetjen e mbrojtësit të tij, avokat Asman Hoxha, se a mundet të tregoj vendimin e datës 18 mars 2019 ku i njëjti kishte qenë kryetar komisioni në shfrytëzim të paluajtshmërisë së lokalit numër 29 i cili gjindet në Shadërvan, i akuzuari Kasemi ka shpjeguar procedurën që kishin vepruar si komision dhe mbështetjen në ligjin për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës numër 04/L-144

I akuzuari Kasmei, tha se për dhënien në shfrytëzim të lokaleve është mbajtur mbledhja e komisionit dhe bazuar në neni 3 pika 1.11 të ligjit 04/L-144 i cili rregullon procedurën e ankandit publik dhe ka thënë se sipas këtyre dispozitave fituesi zgjihet në bazë të çmimit më të lartë të ofruar dhe në raste specifike kritereve të tjera të përcaktuara në ankand.

Gjithashtu, ai tha se kanë përcaktuar kushtet dhe kriteret të cilat në bazë të njoftimit kanë qenë të vendosura për për 38 lokale që janë dhënë në shfrytëzim përfshirë edhe lokalin numër 29 që përmendet në aktakuzë.

Po ashtu, Kasemi ka treguar  kriteret të cilat duhet të plotësohen për përzgjedhjen e ofertuesit ku ka thënë se çmimi i ofertuar më i lartë merr 30 poena, krijimi i vendeve të punës merr 10 poena, ideja e cila do të sjellë inovacione në lëminë e turizmi merr 15 poena, menaxhimi i biznesit do të ofrohet për gjininë femërore 15 poena, përvoja e mëhershme në menaxhim të biznesit 10 poena.

Në pyetjen e avokatit Hoxha, se në rastin konkret a ka qenë vendimtar kriter i vetëm çmimi më i lartë apo edhe kritere të tjera, Kasemi ka thënë se Albert Doçi ka ofruar çmimin më të lartë dhe është vlerësuar me 30 poena kurse Fatmire Berisha është vlerësuar me 24.5 poena ngase e ka pasur çmimin më të ulët.

Ai ka shtuar se, duke u bazuar në kriteret e lartpërmendura në njoftim ofertuesja Berisha ka marrë gjithësej 74.5 pikë ndërsa DPH “Kafja jeme” biznesi i këtu të dëmtuarit Doçi ka marrë në total 71 pikë, sipas tij po të ishte pronare e DPH “Kafja Jeme” e gjinisë femërore që është njëri nga kriteret do të merrte 76 pikë.

Tutje, i akuzuari Kasemi ka thënë se për dhënien në shfrytëzim të lokaleve kanë pasur ankesa si dhe kallëzim penal të parashtruar por që i njëjti është hudhur nga prokuroria dhe se i njëjti vendim është pjesë e shkresave të lëndës.

Në pyetjen e prokurorit Metush Biraj se a është e vërtet se gjatë punës si komision janë shërbyer me ligjin për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të komunës dhe rregulloren QRK me numër 23/2013, Kasemi ka thënë se gjatë punës së tyre kanë përdorur këto dy dokumente si dhe ligjin e prokurorimit publik.

Ai ka shtuar se gjatë punës së tyre janë bazuar në nenin 3 pika 1.11 neni 5 paragrafi 2 dhe neni 8 paragrafi 6.7 të ligjit 04/L-144.

Në pyetjen tjetër të prokurori Biraj, se a do të thotë që si komision nuk kanë marrë parasysh nenin 5 paragrafin 3 dhe as nenin 6 paragrafi 2 të rregullores QRK numër 23/2013 ku decidivisht theksohet se përmes ankandit publik bëhet përzgjedhja e fituesit në bazë të çmimit më të lartë të ofruar, Kasemi ka thënë kanë marrë parasysh ligjin dhe rregulloren e lartpërmendur.

Në fund, ai ka theksuar se gjatë mandatit të tij si kryetar i komisionit është nxjerrë ligji i ri  për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës me numër 06/L-092 si dhe rregullorja e re QRK.nr.09/2020 sipas së cilës përmes ankandit publik bëhet përzgjedhja e fituesit dhe kushtet e tjera të caktuara nga komuna ose komisioni.

Seanca e radhës do të mbahet sipas ditarit të punës më 19 gusht 2022.

Ndryshe, të akuzuarit Levent Kasemi ish- drejtor i Shërbimeve Publike, Fejzë Kabashi ish- drejtor i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Refik Shaqiri ish-drejtor për Kadastër dhe Gjeodezi në Komunën e Prizrenit, ish-asamblistja e Kuvendit Komunal të Prizrenit, Ganimete Babuna, si dhe drejtori i Fondacionit “Lumbardhi”, Ares Shporta, po akuzohen se kanë keqpërdorur detyrat e tyre zyrtare.

Sipas aktakuzës së ngritur më 29 nëntor 2019 nga Prokuroria Themelore e Prizrenit, të pandehurit Levent Kasemi, Fejzë Kabashi, Refik Shaqiri, Ares Shporta dhe Ganimete Babuna akuzohen se më 18 mars 2019, nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë për personin tjetër, apo që t’i shkaktojnë dëm personit tjetër.

Siç thuhet në aktakuzë, duke qenë pjesë e komisionit për dhënie në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës së Prizrenit, në bashkëkryerje, me dashje kanë shkelur kriterin e vetëm të Ankandit Publik, gjegjësisht nenin 5, paragrafi 3 të ligjit nr.04/L-144, ku theksohet se procedura për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës komunale bëhet përmes Ankandit Publik, dhe akteve nënligjore, dhe se përzgjedhja e fituesit bëhet në bazë të një kriteri dhe atë të çmimit më të lartë të ofruar.

Në aktakuzë thuhet se duke vepruar në këtë mënyrë, të njëjtit kanë shkelur të drejtat e të dëmtuarit Albert Doqi, duke përzgjedhur si shfrytëzuese ofertuesen Fatmire Berisha, përkundër faktit se i dëmtuari Doqi kishte kuptuar çmimin më të lartë, gjegjësisht shumën 25 euro e 20 centë për m2, për lokalin nr.29, i cili gjendet në sheshin “Shatërvan”, por i njëjti lokal i është dhënë në shfrytëzim ofertueses Berisha, me çmim prej 20 euro e 6 centë për m2.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit përkundër faktit se në bazë të dokumentacionit të prezantuar dëshmohet se përfituesja Fatmire Berisha nuk ka pasur përvojë në menaxhim dhe zhvillim të biznesit, komisioni për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës komunale në Prizren, të njëjtën e ka poentuar me pikë maksimale.

Sipas aktakuzës, më pas komisioni për ankesa pranë Kuvendit Komunal në Prizren, e kishte aprovuar kërkesën e palës së dëmtuar, ku më 28 shkurt 2019 ka anuluar vendimin e këtij komisioni duke e dërguar çështjen në rishqyrtim, por përkundër këtij fakti, komisioni përmes njoftimit të datës 1 prill 2019 ka potencuar se qëndrojnë pranë njoftimit të datës 17 janar 2019, ku janë shpallur fituesit e ankandit për shfrytëzimin me qira të lokaleve-pronë komunale.

Për këtë, ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1, lidhur me paragrafin 2, pika 2.6, e lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet. /BetimipërDrejtësi

shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç̧ nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë

Asnjë koment

Comments are closed.