Prizren: Inspektori thotë se po përballet me drejtësinë, shkaku i qeverisjes së PDK-së
Brenda pesë muajsh, Musliu thotë se Prokuroria ka ngritur ndaj tij pesë aktakuza në lidhje me punën e tij 10-vjeçare në teren, raporton KTV.
Por, ai po e shfajëson veten nga këto akuza, duke thënë se fajtorë janë ish-shefat e tij, drejtorët e emëruar politikisht, të cilët, sipas tij, pavarësisht rekomandimeve që jepte nga tereni, merrnin vendime tjera.
Pretendon se kjo iu bë më qëllim, për shkaqe politike, ngase thotë se punën e ka kryer me përgjegjësi.
Musliu thotë se është absurde që të gjitha aktakuzat kanë karakter të njëjtë.
Ndërsa, mbrojtësit e tij fajësojnë prokurorinë për ngritje të këtyre aktakuzave brenda një periudhe të shkurtër.
Në Prokurorinë Themelore të Prizrenit thonë se aktakuzat janë ngritur mbi prova dhe fakte mirë të bazuara, se personi në fjalë ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.
“Pretendimet e z. Nexhmedin Musliu nuk qëndrojnë, për faktin se Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë mbi bazën e provave dhe se ka ekzistuar dyshimi i bazuar mirë se i njëjti ka kryer vepër penale”, ka thënë Prokuroria Themelore në Prizren.
Tutje, Prokuroria Themelore në Prizren shton se është e vendosur në luftimin e krimit dhe se do t’i hetojë dhe akuzojë të gjithë personat që shkelin ligjin, pavarësisht pozitës.
Ndërsa, Kohavisioni ka provuar të flasë edhe me kryetarin e komunës, Mytaher Haskuka, për pretendimet e inspektorit të ndërtimit, po ai nuk ka qenë i qasshëm.