05-10-2024

Prizren: Ish-drejtori i Bankës për Biznes kërkon ta negocioi marrëveshjen për pranim fajësie

Një gjë të tillë, e ka thënë mbrojtësi i tij, avokati Skender Morina, në seancën e së premtes në Gjykatën Themelore në Prizren, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Avokati Morina, ka kërkuar nga kjo gjykatë, që të shtyhet seanca fillestare e së premtes, në mënyrë që atyre t’u jepet afat për negocimin e marrëveshjes për pranimin e fajësisë.

Ai ka thënë se pasi që aktakuzën dhe provat i ka pranuar para fillimit të shqyrtimi fillestar, t’i jepet një afat kohor që pas konsultimeve me klientin e tij, të paraqesin kërkesën për negocimin e marrëveshjes për pranimin e fajësisë.

I akuzuari Ibrahimi, fillimisht është ngarkuar me veprën penale të shpërdorim i pozitës zyrtare apo autoritetit, nga neni 339, paragraf 3 të KPK-së.

Mirëpo, në seancën e së premtes, pas leximit të aktakuzës, prokurori Metush Biraj, ka bërë rikualifikimin e veprës penale, duke marrë parasysh ligjin më të favorshëm për të akuzuarin.

Ai tani atë e ka ngarkuar me veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, nga neni 422, paragrafi 1 të KPRK-së.

Gjykatësja Ajser Skenderi, ka aprovuar kërkesën e avokatit Morina, ndërsa seancën e radhës e ka caktuar më 3 shkurt 2020, në ora 09:30.

Për më tepër, në këtë rast, akuzoheshin gjithsej shtatë persona, mirëpo ndaj pesë prej tyre, Armend Ibrahimi, Fadil Gashi, Orhan Fetahu, dhe Teuta Demiri, ishte veçuar procedura, ndërsa me 15 mars 2019, Gjykata Themelore në Prizren ka shpallur aktgjykim refuzues ndaj Vlera Besimi dhe Besnik Gërmizaj, pasi prokurori ka hequr dorë nga ndjekja penale ndaj tyre.

Ndërsa, më 11 tetor 2019, Gjykata Themelore në Prizren, po ashtu ka shpallur aktgjykim refuzues edhe ndaj Dardania Susurit, pasi që prokurori ka hequr dorë nga ndjekja penale ndaj saj.

Mirëpo, pas sigurimit të prezencës të të akuzuarit Armend Ibrahimi, përmes fletërreshtimit ndërkombëtar, është caktuar shqyrtimi fillestar ndaj tij.

Sipas shkresave të lëndës, i akuzuari Ibrahimi, ishte ndaluar në Poloni, më 2 shtator 2019, ndërsa është ekstraduar në Kosovë, më 9 janar 2020.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, të ngritur në maj të vitit 2014, ndaj Armend Ibrahimit, Fadil Gashit, Orhan Fetahut, Dardania Susurit, Teuta Demirit, Besnik Germizaj dhe Vlera Besimit, të njëjtit i ngarkon me veprat penale të “shpërdorimit të pozitës zyrtare”, “mashtrimit” dhe “falsifikimit të dokumenteve”.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Armend Ibrahimi, si person zyrtar, në cilësinë e drejtorit të Bankës për Biznes (BPB), dega në Prizren, në tetorin e vitit 2010, në kundërshtim me procedurat ligjore, i obligon tani të akuzuarit Dardania Susuri, Teuta Demiri, Vlera Besimi dhe Besnik Gërmizaj, që të bëjnë përgatitjen e dokumentacionit për dhënien e kredive për 26 punëtorë të kompanisë “Dili Comerce” në Prizren, pronë e të pandehurit Fadil Gashi, për shkak se punëtorët qenkan larg në terren, e nuk kanë mundësi për të shkuar, më pas duke e marr sasinë e konsiderueshme të mjeteve, me të cilën sipas akuzës, i shkakton dëm material të dëmtuarës (BPB), shumën prej 264.000 euro.

Me këtë, akuzohen se ka kryer veprën penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare, nga neni 339 paragrafi 3 të Kodit të Përkohshëm Penal.

Tutje, në aktakuzë thuhet se, Armend Ibrahimi, Fadil Gashi dhe Orhan Fetahu, me qëllim për t’i sjellin vetes apo personit tjetër dobi pasurore, i mashtrojnë personat tjerë me anë të paraqitjes së rreme, duke i shtyrë ata të veprojnë në dëm të pasurisë së tyre, të njëjtit i bindin 26 punëtorët e kompanisë “Dili Comerce”, që ata të aplikojnë me nga 10 mijë euro kredi, me pretekst se këto kredi do të paguhen dhe garantohen me kolateral nga i akuzuari Fadil Gashi, i cili sipas akuzës nuk i ka kryer këto pagesa, me këtë duke i dëmtuar të dëmtuarit pasi që ata u obligonin që t’i përgjigjen bankës.

Me këtë, akuzohej se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të mashtrimit nga neni 261 par 1 e lidhur me nenin 23 të KPK.

Po ashtu, sipas akuzës, të pandehurit Ibrahimi, Gashi dhe Fetahu, akuzohen se kanë përpiluar dokumente të falsifikuara dhe me dije i kanë përdorur si origjinale, pasi që pa qenë fare prezent punëtorët e kompanisë “Dili Comerce”, në emër të tyre i kanë përpiluar, nënshkruar dhe vulosur kontratat e punës, me vulën e kompanisë në fjalë, pronë e të pandehurit Fadil Gashi.

Me këtë, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryet veprën penale të falsifikimit të dokumentit nga neni 332 par 2 të KPK.

Në aktakuzë thuhet se, Dardania Susuri, Vlera Besimi, Teuta Demiri dhe Besnik Gërmizaj, të njëjtit si persona zyrtarë, në maj të vitit 2010, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, i kanë tejkaluar kompetencat e tyre, ashtu që në kundërshtim me procedurat kanë bërë hapjen e xhirollogarive të dëmtuarve, pa bërë analizat e duhura, kanë kompletuar dokumentacion përkatës për lëshim të kredive, pa qenë fare prezent të dëmtuarit, si dhe pa komunikuar me aplikuesit (në këtë rast të dëmtuarit), me këtë i shkaktojnë dëm material Bankës për Biznes (BPB-së), dega në Prizren në shumën prej 264.000 euro.

Me këtë, akuzohen se në bashkëkryetari kanë kryer veprën penale të shpërdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtar nga neni 339 par 3 e lidhur me nenin 23 të KPK. /Betimipërdrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.