27-07-2024

Prizren: Ish-inspektori i tregut lirohet nga akuza për keqpërdorim detyre

Kryetarja e trupit gjykues Raima Elezi, në shpallje të aktgjykimit, deklaroi se nuk është vërtetuar se i akuzuari ka kryer një vepër të tillë penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, në aktakuzën e Prokurorisë Themelore Prizren të ngritur më 24 maj 2019, i pandehuri Fatmir Gashi akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Fatmir Gashi akuzohet se me 29 gusht 2014 në cilësinë e personit zyrtar si inspektor komunal i tregut në kuadër të Drejtorisë së Inspektorateve në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari me dashje shkel ligjin lidhur me detyrat e tij, në atë mënyrë që në kundërshtim me nenin 66 të Ligjit për Lojërat e Fatit, jep pëlqimin për ushtrimin e veprimtarisë së biznesit për lojërat e fatit “Game Plus”, për njësinë në Prizren, në rrugën “Jusuf Gërvalla”, e cila njësi është 300 metra afër xhamisë.

Sipas aktakuzës, thuhet se në bazë të këtij pëlqimi ky biznes është licencuar nga Divizioni për Lojërat e Fatit, me ç’rast biznesit në fjalë i sjellë dobi duke ia aprovuar kërkesën dhe duke e lejuar që ta ushtrojë veprimtarinë e tij, deri me 28 korrik 2017, kur Divizioni për Lojërat e Fatit i ATK-së e mbyll këtë veprimtari.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtare. /Betimipërdrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.