24-04-2024

Prizren: Ja pse nuk u mbajt seanca ndaj të akuzuarit se lidhi kontratë me operatorin më të shtrenjtë për mbi 25 mijë euro

Ka dështuar të mbahet seanca për korrupsion ndaj menaxherit të prokurimit në Komunën e Dragashit, Nuro Ismaili, i cili ka njoftuar se është në pushim mjekësor deri më 16 korrik shkaku i një operimi.

Ismaili ngarkohet se nënshkroi një kontratë me një operator për 25 mijë e 680 euro më të shtrenjtë si dhe dështoi të marrë sigurinë e tenderit prej 3 mijë eurosh dhe nënshkroi kontratën me operatorin pa i plotësuar të gjitha dokumentet.

I pandehuri ka njoftuar gjykatën përmes një parashtese se është në pushim mjekësor pasi i është nënshtruar një operacioni në fillim të këtij muaji.

Pasi që nuk pati kushte për mbajtjen e kësaj seance, kryetarja e trupit gjykues, Raima Elezi  njoftoi se seanca e radhës mbahet më 13 gusht duke filluar nga ora 09:00.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 30 nëntor 2020, e të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, Nuro Ismaili po akuzohet se nga 18 marsi 2019 e deri më 28 qershor 2019, si person përgjegjës-menaxher i zyrës së prokurimit në Komunën e Dragashit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojë dobi pasurore për operatorin ekonomik “Avni Murtezi” B.I.

Ismaili ngarkohet se si menaxher në Zyrën e Prokurimit në kundërshtim me ligjin ka lidh kontratë për furnizim me pelet me një operator më të shtrenjtë për 25 mijë e 680 euro.

Po ashtu, ai ngarkohet se ka dështuar të konfiskojë sigurinë e tenderit i datës 5 maj 2019 në shumë prej 3 mijë euro për furnizim me dru dhe pelet nga Operatori ekonomik “Avni Murtezi”. Po ashtu, Ismajli ngarkohet se pa i plotësuar të gjitha dokumentet i lidhet kontrata me operatorin më të shtrenjtë për 25,680 euro duke dëmtuar buxhetin e Komunës.

Me këto veprime, Nuro Ismaili po akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 3, nën paragrafi 3.2 të Kodit Penal. Sipas nenit 414, paragrafit 1, dënimi parashihet të jetë me burgim prej një deri në tetë vjet. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.