21-12-2024

Prizren: Jetojnë me qira pasi shtëpitë e tyre janë të rrethuara me mina

Sahit Ninaj menjëherë pas përfundimit të luftës ishte kthyer nga Shqipëria në fshatin e tij Milaj të Prizrenit.

Që nga ajo kohë ai ka mbetur pa njërën shputë të këmbës, pasi kishte shkelur në një minë të vendosur nga forcat serbe në tokën e tij, raporton KTV.

Përveç që mbeti pa një pjesë të trupit, tash e 18 vjet është edhe pa shtëpi. Ai jeton në Prizren në një banesë me qira tash e 18 vjet.

Shpesh shkon për ta vizituar vendlindjen, por shkaku i pasigurisë thotë se nuk ka guxuar të ndërtojë shtëpi.

Nga shpërthimi i minave në këtë vend kishin pësuar edhe dy bashkëfshatarë të tij derisa shumica u detyruan të gjejnë zgjidhje tjetër.

Një banor tjetër, i cili jeton i vetëm me familjen e tij në lagjen e Ninajve, thotë se lirinë e lëvizjes e ka të kufizuar për shkak të dyshimit të pranisë së minave.

Bajram Rashkaj thotë se vetëm disa ditë më parë ka hasur në një granatë dore të kohës së luftës, të cilën më pas e shpërtheu Njësiti i çminimit i FSK-së.

Në komunën e Prizrenit thonë se për këta banorë, të cilët nuk kanë mundur të kthehen në fshatin e tyre, është mundësia që të përfitojnë material ndërtimor për ndërtimin e shtëpive, por tokën duhet ta sigurojnë vetë.

FSK-ja deklaron se ky vendbanim është i pastruar nga minat, përveç zonave malore.

Në këtë fshat që nga viti 1999, sipas Njësisë së çminimit të FSK-së, janë pastruar mbi 50 mijë metra katrorë ku janë gjetur e demoluar 93 mina anti -personale dhe 2 mjete të tjera të pashpërthyera.

https://video.gjirafa.com/koha?video=jetojne-me-qira-pasi-shtepite-e-tyre-jane-te-rrethuara-me-mina  

Komentet

Komento