04-05-2024

Prizren: Ka vazhduar seanca me dëgjimin e ekspertit në rastin e rigjykimit për tentim vrasje

 U dëgjua eksperti dr.Flamur Dylhasi, në rastin ku po gjykohen të akuzuarit për vrasje në tentativë, pjesëmarrje në rrahje dhe lëndim të rëndë dhe të lehtë trupor, Rinor Xhaferi, Bekim Xhaferi e Agron Sopaj.

Para fillimit të seancës, mbrojtësi i të akuzuarit Agron Sopoaj, avokatja Emira Gavazi deklaroi se pas konsultimeve me të mbrojturin e tij, kërkoi nga gjykata që në seancën  e sotme të dëgjohet vetëm eksperti, kurse dëshmitarët të merren në pyetje për një ditë tjetër, me arsyetimin që të kenë mundësi të shikojnë CD, e që eventualisht të bëhet ballafaqimi në prova, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokurori Metush Biraj e kundërshtoi një gjë të tillë, me arsyetimin se “nuk lidhet me CD se si ka ndodhur ngjarja, është oportune nga se dëshmitarët janë të lirë të deklarojnë për rrethanat e rastit konkret”.

Nga ana tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Rinor Xhaferi, avokati Esat Gutaj tha se e kundërshton shtyrjen e seancës për marrjen në pyetje të dëshmitarëve.

Pas këtyre, trupi gjykues mori vendim për aprovimin e kërkesës së avokates Gavazaj, që në seancën e sotme të dëgjohet vetëm eksperti Dylhasi.

Në seancën e sotme, e cila u mbajt në Gjykatën Themelore në Prizren, dr.Dylhasi tha se mbetet në tërësi pranë ekspertizave me shkrim të parashtruara si dhe pranë deklaratës së dhënë më gjykatë, më 15.03.2018, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dylhasi tha se lidhur me dëmtimet e të akuzuarit Rinor Xhaferi, janë konstatuar dëmtime të lehta trupore dhe me dëmtim të përkohshëm.

Kurse tek i akuzuari Bekim Xhaferi, eksperti tha se janë konstatuar dëmtime të rënda trupore, ka konstatuar dr.Dylhasi.

Kurse te i akuzuari Agron Sopaj, eksperti dr. Dylhasi deklaroi se janë konstatuar tri plagë shpuese dhe atë dy plagë shpuese në anën e majtë të kafazit të kraharorit, dhe një shpuarje në regjionin e karkut, si dhe dëmtime të rënda trupore si dhe të rrezikshme për jetë në momentin e shkaktimit.

Pas këtyre, seanca u ndërpre, e njëjta u caktua për 01 dhe 02 prill 2021, në ora 10:00.

Ndryshe, për këtë rast Gjykata Themelore në Prizren në tetor të vitit 2018, kishte shpallur aktgjykimin, me të cilin Rinor Xhaferin e kishte shpallur fajtor për veprën penale “lëndim i rëndë trupor” dhe e kishte dënuar me 15 muaj burgim.

Bekim Xhaferin e kishte dënuar për veprën penale “ pjesëmarrje në rrahje” me tre muaj burgim.

Ndërsa Agron Spën, për veprën penale “lëndim i rëndë trupor” e kishte dënuar me 6 muaj burgim, kurse për veprën penale “lëndi i lehtë trupor” me tre muaj burgim, duke i shqiptuar dënimin unik prej 8 muaj burgim efektiv.

Për këtë, Gjykata e Apelit e Kosovës kishte marrë aktvendim për prishjen e aktgjykimit dhe rastin e kishte dërguar në rigjykim.

Vlen të theksohet se këtë lëndë penale e kishte në gjykim dhe rigjykim gjykatësi Xheladin Osmani, mirëpo sipas ankesës së palës së dëmtuar, tani të akuzuarit Agron Sopaj, gjykatësi Osmani me vendim të Gjykatës Supreme të Kosovës ishte përjashtuar dhe lëndën e ka pranuar gjykatësja Ajser Skenderi.

Ndryshe sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, i përpiluar më 16 gusht 2018, Rinor Xhaferi akuzohet se me dashje ndërmerr veprime për vrasje të personit tjetër, po vepra nuk është realizuar, në atë mënyrë që në rrugën e shtëpisë së tij, në fshatin Korishë, për shkak të mosmarrëveshjeve të mëhershme lidhur me rrugën dhe largimit të cungave prej rrugës nga ana e të dëmtuarit Agron Sopaj, së bashku me babain e tij, shkon në drejtim të të dëmtuarit Agron Sopaj, ku fillimisht përleshen me grushta, e pastaj në një moment me thikë dy herë e godet të dëmtuarin Agron Sopaj në regjionin e kafazit të majtë të kraharorit afër zemrës dhe një herë në regjionin e abdomenit.

Me këto veprime Rinor Xhaferi ka kryer veprën penale vrasje në tentativë.

Ndërsa, Bekim Xhaferi akuzohet se merr pjesë në rrahje, e cila rezulton me lëndime të rënda trupore për personin tjetër, së bashku me të birin e tij, të akuzuarin Rinor Xhaferin me grushte e pastaj me një shkop e godet nëpër pjesë të ndryshme të trupit të dëmtuarin Agron Sopaj.

Me këto veprime, Bekim Xhaferi akuzohet se ka kryer veprën penale pjesëmarrja në rrahje.

Kurse, Agron Sopaj akuzohet se i shkakton lëndim të rëndë trupor përsonit tjetër, deri në masën e tillë sa që mund të rezultojë me dëmtimin e përkohshëm të shëndetit, në atë mënyrë që gjatë përleshjes, me grushte e godet të dëmtuarin Bekim Xhaferin, të cilit i shkakton lëndime të buta të hundës, nën gjurit të majtë dhe lëndime të tjera.

Po ashtu, ai akuzohet se gjatë përleshjes të dëmtuarin Rinor Xhaferin e godet me grushte nëpër trup dhe fytyrë, duke i shkaktuar lëndime të lehta në kokë dhe në pjesën e majtë të fytyrës.

Me këto veprime ai akuzohet se ka kryer veprat penale lëndim i rëndë trupor si dhe lëndim i lehtë trupor./BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.