Prizren: Kërkesën e AQP-së për blerjen e produkteve serbe, prodhuesi ‘Liri’ e quan diskriminim
KALLXO.com raportoi se Agjencia Qendrore e Prokurimit po kërkon të blejë prodhime të Serbisë për t’i furnizuar disa institucione, përkundër që Qeveria e Kosovës i ka vendosur taksën doganore prej 100% mallrave të importuara nga Serbia.
Arben Tërshnjaku nga fabrika “LIRI”, në Prizren që bën prodhimin e biskotave “Sempre”, ka thënë për KALLXO.com se blerja e produkteve serbe është diskriminim për prodhuesit vendor.
Ai ka shtuar se kjo blerje është shumë më e rëndë tash pas vënies së taksës prej 100 përqind, kur shumë qytetarë janë mobilizuar për bojkot të këtyre produkteve.
“Kjo është diskriminim për prodhuesit vendor, si me i bërë kërkesë një brendi të caktuar ‘Hajde furnizom’, realisht është dashur të bëjnë kërkesën me emër të produktit dhe jo me emër të brendit. Është shumë e rëndë për neve si prodhues sidomos kur krejt Kosova janë ‘çu’ për mos me ble produkte tash pas taksës prej 100 përqind”, ka thënë Tërshnjaku.
Edhe drejtor i fabrikës për përpunimin e mishit “MEKA”, Burim Piraj, ka thënë se blerja e produkteve serbe duke anashkaluar ato vendore është praktikë e keqe.
Piraj për KALLXO.com, blerjen e këtyre produkteve nga institucionet e ka quajtur më shumë se diskriminim.
“Mendoj se është një praktikë e keqe e cila që nga e kaluara u kanë dhënë përparësi prodhimeve të huaja karshi atyre vendore, këtë nuk mund ta quajmë diskriminim sepse kjo është më tepër se aq”, ka thënë Piraj.