Prizren: Kërkohet plotësimi i ekspertizës financiare në rastin e ish-inkasantit që akuzohet për përvetësim në detyrë
Pas pranimit të provave origjinale, konkretisht të 40 dëftesë-pagesave, Gjykata Themelore në Prizren, ka kërkuar që të bëhet plotësimi i ekspertizës financiare, në rastin ku ish-inkasanti i “Hidroregjioni Jugor”, Hafir Gallopeni, akuzohet për përvetësim në detyrë.
Ai akuzohet se duke punuar si inkasant ka përvetësuar para në shumë prej mbi 20 mijë euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në seancën e kaluar që ishte mbajtur më 6 maj 2019, kryetarja e trupit gjykues, Ajser Skenderi, kishte kërkuar nga prokurorja Ervehe Gashi, që të sillen provat origjinale lidhur me këtë rast, pasi më parë ato ishin vetëm fotokopje.
Ndërsa, një gjë të tillë, prokurorja Gashi, e ka bërë në seancën e së hënës, ku ka sjell provat origjinale të pagesave si dhe raportin përfundimtar të vlerësimit të dëmeve materiale në objektin e qendrës administrative të kompanisë “Hidroregjioni Jugor”.
Pas shikimit të dëftesave origjinale, trupi gjykues ka marrë vendim që të bëhet plotësimi i ekspertizës financiare sa i përket dëmit të shkaktuar, duke marrë për bazë dëftesat origjinale.
Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Gallopeni, avokati Asman Hoxha, i ka kundërshtuar këto prova, pasi që sipas tij, asnjëra nga to nuk provon se i mbrojturi tij të ketë përvetësuar materialisht nga kjo kompani.
“Këta blloka pasqyrojnë punën që ka kryer i mbrojturi im dhe i njëjti së bashku me këta blloka ka dorëzuar edhe dëftesë-pagesat dhe mjetet e grumbulluara nga qytetarët tek organi kompetent, me rastin e dorëzimit të këtyre bllokave në arkiv, ngase detyra e të mbrojturit tim me dorëzimin e këtyre bllokave ka përfunduar. Është përgjegjësi e krejt dikujt tjetër që të bëjë regjistrimin në kartelat e konsumatorit, shumën e mjeteve të dorëzuar nga inkasanti”, ka thënë ai.
Ai ka deklaruar se vlerat provuese të këtyre dëftesave nuk provojnë assesi që klienti i tij, të ketë kryer veprën penale për të cilën akuzohet.
“Ngase në qoftë se nisemi nga ky konkludim logjik i bie që Hafir Gallopeni për 25 muaj nuk paska dorëzuar asnjë cent në kompaninë “Hidroregjioni Jugor”, e atëherë pyetja është kush e lejoj që të punoj në këtë mënyrë”, ka deklaruar ai.
Prokurorja Gashi, ka kërkuar nga gjykata që si dëshmi të pranohen edhe kopjet e dëftesë-pagesave pasi që në origjinal sipas saj, gjenden vetëm një numër i caktuar, e të cilat kanë shpëtuar nga djegia e objektit të administratës së kësaj kompanie.
“Në raportin përfundimtarë për vlerësimin e dëmeve materiale në objektin e qendrës administrative të kompanisë Hidroregjioni Jugor, në faqen 5 thuhet se të gjitha janë të djegura, por pasi që inkasanti Hafir Gallopeni ka qenë në procedurë të hetimit janë bërë kopje të gjitha dëftesë-pagesat e tij të cilat konsumatorët kanë paguar, por që nuk janë shkarkuar nga inkasanti”, ka thënë prokurorja Gashi.
Sipas saj, në qoftë se ky raport nuk është i mjaftueshëm për trupin gjykues si provë, atëherë ajo ka propozuar që në cilësinë e dëshmitarëve të ftohen përafërsisht 600 konsumatorët, dëftesë-pagesat e të cilëve nuk janë shkarkuar në kartel.
Në anën tjetër, avokati mbrojtës, Asman Hoxha, nuk e ka kundërshtuar propozimin e prokurores, por ka thënë se dëshmia e tyre nuk e zbardh faktin se klienti i tij, ka marrë shumën nga konsumatorët ashtu siç shënon në dëftesë.
“Mirëpo, atë shumë i mbrojturi im e ka dorëzuar në shërbimin përkatës, dhe ky dëm ka mundur të ndodh në kompaninë ‘Hidroregjioni Jugor’ gjatë kalkulimit të kartelave të konsumatorit, por jo me fajin e Hafir Gallopenit”, ka deklaruar ai.
Pas dëgjimit të palëve, trupi gjykues ka marr vendim që seanca e së hënës të ndërpritet, dhe për seancën e radhës në cilësinë e dëshmitarëve të ftohet Mirlinda Ramadani-Hajdari dhe Hysni Ahmeti.
Ndërsa, përfaqësuesin e të dëmtuarës, e ka obliguar që me parashtresë para shqyrtimit të ardhshëm, ta njoftojë trupin gjykues se kush ka qenë arkëtar gjatë periudhës 2013-2015, tek e dëmtuara, me qëllim që të njëjtit të ftohen të dëgjohen në cilësinë e dëshmitarëve.
Seanca e radhës për këtë rast është caktuar më 10 shtator 2019, prej orës 9:30.
Ndërkaq, në seancën e mbajtur më 8 shkurt 2019, eksperti financiar, Isak Krasniqi kishte deklaruar se dëmi që i është shkaktuar kompanisë së ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” në Prizren, është rreth 20 mijë euro.
Gjatë elaborimit të plotësimit të ekspertizës së tij, të nxjerrë me 15 janar të vitit 2019, eksperti Krasniqi, kishte thënë se nga veprimet e të akuzuarit ka dal se shuma e dëmit që i është shkaktuar “Hidroregjionit Jugor”, është rreth 20 mijë euro.
“Në raportin e datës 15 janar 2019, çdo kartelë një nga një është kontrolluar dhe janë marr kartelat origjinale nga shërbimi përkatës i kompanisë dhe kemi ardhur në përfundim se deficiti është 19.593.28 mijë euro”, kishte deklaruar eksperti financiar.
Por, më pas mbrojtësi i të akuzuarit Hafir Gallopeni, avokati Asman Hoxha, kishte kërkuar nga Gjykata Themelore e Prizrenit, që kjo seancë të shtyhej për një datë tjetër, nga fakti se raportin e nxjerrë nga eksperti financiar, ai e kishte pranuar gjatë asaj seance.
Kurse, në seancën e 13 marsit 2019, avokati Hoxha, kishte bërë vërejtje në administrimin e provave, konkretisht 964 kopjeve të dëftesave të inkasantit Hafir Gallopeni, për të cilat kishte thënë se nuk i ka pasur në shikim asnjëherë, as origjinalet, e as fotokopjet.
Ndryshe, më 3 mars të vitit 2016, Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve Hafir Gallopeni, Faik Berisha, Isen Ramanaj dhe Dardan Gashi, për veprën penale “përvetësimi në detyrë”.
Ata akuzohen se në cilësi të inkasantëve në kompaninë e ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor”, nga periudha mars 2013 – maj 2015, nuk e kanë dorëzuar të gjithë shumën e inkasuar nga konsumatorët, duke i shkaktuar kompanisë në fjalë dëm në vlerë rreth 26 mijë euro.
Mirëpo, të akuzuarit Faik Berisha, Isen Ramanaj dhe Dardan Gashi, pas ngritjes së aktakuzës, kanë arritur marrëveshje mbi pranimin e fajësisë, me organin e akuzës, ndërsa i akuzuari Hafir Gallopeni, nuk ka arritur një marrëveshje të tillë, andaj për të njëjtin procesi gjyqësor ka vazhduar ndaras. /Betimipërdrejtësi