Prizren: Kërkojnë caktimin e masës së sigurimit që ish-prona e tyre të mos tjetërsohet apo ndryshohet për qëllime tjera nga Qeveria
Në Gjykatën Themelore në Prizren, të premten është mbajtur seanca dëgjimore lidhur me masën e sigurimit ku Bersim Abdija dhe 6 propozues të tjerë nga fshati Lubinjë e Poshtme dhe Tetova e Re, po kërkojnë lëshimin e urdhrit për rivendosjen e së drejtës pronësore në pronat e shpronësuara ndaj Qeverisë së Kosovës, e cila e ka lëshuar me qira pronën.
Seanca filloi me leximin e kërkesës së propozuesve për caktimin e masës së sigurimit.
Përfaqësuesja e kundërpropozuesit, kundërshtares së masës së sigurisë, Ilire Aydogan nga Avokatura Shtetërore deklaroi se e kundërshton në tërësi propozimin për caktimin e masës së sigurimit dhe shtoi se prona është shpronësuar sipas ligjit për shpronësimin dhe udhëzimeve administrative si dhe po ashtu edhe palët janë kompensuar.
Aydogan shtoi se titullar i kësaj prone është Qeveria e Kosovës dhe se caktimi i masës së sigurisë nuk përmbush asnjë nen të Ligjit për Procedurë Kontestimore. Ajo tha se sa i përket asaj se një pjesë ka mbetur e pashpronësuar, sipas saj, kjo pjesë është e destinuar të përdoret për sistem integral të transportit dhe sheshit për pagesë, e cila do të funksionalizohet pas vendimit të Qeverisë për pagesën.
Ndërsa, i autorizuari i propozuesve të masës së sigurimit, avokat Afrim Paqarizi, theksoi se më 4 janar 2020, një ditë pa u ndërru Qeveria, ish-sekretari permanent Betim Grajqica ka lidhë marrëveshje për dhënie me qira për 20 vite palës edhe ish-pronën “Real Estate Kosova”, me të drejtën e vazhdimit edhe për 20 vite tjera.
Sipas tij, Grajqica i ka bërë të gjitha këto veprime, duke ditur se është në procedurë për kthimin e kësaj prone tek ish-pronarët. Po ashtu, tha se Qeveria këtë pronë e ka lënë jashtë rrethojave të autostradës dhe në fund kërkoi nga Gjykata që të vendos masën e sigurisë për arsye të konflikteve eventuale dhe se nga kjo masë nuk pëson asnjë palë e as pala e tretë që ka hyrë në posedim të kësaj prone.
Pas kësaj, Gjyqtari Agron Hoxhaj deklaroi se me aktvendim brenda afatit ligjor do të vendos lidhur me kërkesën për caktimin e masës së sigurisë.
Sipas propozimit për lëshimin e urdhërit për rivendosjen e së drejtës pronësore të qershorit të 2016-ës, propozuesit Bersim Abdija dhe 6 të tjerë, po kërkojnë lëshimin e urdhërit për rivendosje të së drejtës pronësore me masë të sigurisë ndaj Qeverisë.
Sipas propozimit, me qëllim të ndërtimit të autostradës Vërmicë-Merdare, Qeveria e Kosovës, ka bërë shpronësimin e ngastrës kadastrale 171/1 në sipërfaqe të përgjithshme prej 810 m2 dhe pastaj edhe të tërë pjesës së mbetur nga sipërfaqja e përgjithshme prej 9260 m2 në ZK Dushanovë. Kjo sipërfaqe është kompensuar në shumën e përgjithshme prej 338.00 euro sipas një vlerësimi zyrtar dhe se kjo patundëshmëri tani evidentohet në emër të Qeverisë.
Sipas padisë, gjendja në terren është ndryshe pasi që edhe pas kalimit të afatit 5 vjeçar, organi shpronësues nuk e ka shfytëzuar pjesën e patundshmërisë me sipërfaqe prej 8073m2, e cila sipërfaqe ka mbetur jashtë rrethojave të autostradës në largësi prej 157 m dhe se kjo sipërfaqe nuk shfrytëzohet për qëllime të autostradës.
Nga kjo, ish-pronarët janë të dëmtuar dhe se për këtë arsye kërkojnë që të ju kthehet në posedim atyre dhe se të gjithë janë të gatshëm që të kthejnë të hollat që i kanë marrë më herët.
Ndërsa, sipas propozimit për masën e sigurisë, propozuesit theksojnë se prona që iu është uzurpuar atyre, tani Qeveria e Kosovës ka lidhur kontratë me “ Real Estate Kosova” me të cilën kontratë paluajtshmërinë e ka dhënë me qira dhe se pikërisht prona e shpronësuar nuk po përdoret me qëllimin për të cilën është bërë shpronësimi dhe se kjo tokë përmes dhënies me qira do të përdoret për qëllime tjera me të cilat edhe do të ndryshohet destinimi i kësaj toke dhe të detyrohet Qeveria që të mos ndërmarrë asnjë veprim në këtë çështje deri në një vendim përfundimtar nga ana e Gjykatës.
Prandaj, kërkuan nga Gjykata Themelore në Prizren që të caktohet masa e sigurisë në këtë paluajtshmëri që të mos tjetërsohet, ngarkohet apo ndryshohet dedikimi i sipërfaqes prej 8080m2 të ngastrës kadastrale nr.171/ZK-Dushanovë. /BetimipërDrejtësi