19-05-2024

Prizren: Kishte fshehur mbi 700 gr kokainë në trupin e tij, arrestohet i dyshuari në Vërmicë

Policia kufitare në Vërmicë ka arrestuar një person nën dyshimin se pas një kontrolli, iu gjetën në trup 700 gramë kokainë, raporton Gazeta e Prizrenit.

Përmes një njoftimi për medie Policia, njoftoi se sot gjatë realizimit të detyrave dhe autorizimeve ligjore në funksion të menaxhimit dhe kontrollit kufitar në hyrje në pikëkalimin kufitar në Vërmicë, ka arrestuar një person të dyshuar shtetas shqiptar nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope dhe analoge”.

“Arrestimi i të dyshuarit erdhi pas ndalimit dhe kontrollit të automjetit dhe të dyshuarit, falë bashkëpunimit të zyrtarëve të policisë kufitare, hetuesve të drejtorisë rajonal në Gjakovë dhe zyrtarëve të Doganës.
Gjatë kontrollit në vijën e dytë gjatë kontrollimit të personit të dyshuar (në trup) në anën e majtë të barkut, saktësisht në brez nën rrip të pantallonave gjetën të futur një çorape ngjyrë e zezë, ndërsa në të ishte vendosur një qese plastike e tejdukshme e mbushur me lëndë të bardhë të ngurtë që dyshohet si substancë narkotike e llojit kokainë dhe me disa mbishkrime”, thuhet në njoftim.

Personi i dyshuar menjëherë është arrestuar nga policia, përderisa njësitet kompetente të antidrogës pas matjes së substancës narkotike kanë konstatuar se bëhet fjalë për substancë narkotike me peshë prej 736.20 g.

Sipas njoftimit, hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar nga autoritetet kompetente policore për procedura të mëtejme ligjore. / GazetaePrizrenit.net

 

Asnjë koment

Comments are closed.