20-04-2024

Prizren: Komuna angazhon policë me pagesë kundër ndërtimeve pa leje

Drejtoria e Inspektoratit, në komunën e Prizrenit, ka angazhuar policë me pagesë për ta ndihmuar në aksionet e ndërmarra për rrënimin e objekteve pa leje, shkruan sot “GazetaePrizrenit.net”.

Në këtë formë, duket se po veprohet sipas modelit të komunës së Prishtinës, të aplikuar nga kryetari, Shpend Ahmeti. Nga ardhja në pushtet e qeverisjes së re komunale në Prizren, në fillim të këtij viti është njoftuar për disa aksione ndaj objekteve pa leje ndërtimi, përfshirë edhe ato afaristo-banesore.

Mbështetur në shënimet përkatëse, gjatë periudhës janar – qershor të këtij viti, inspektorati i ndërtimtarisë ka lëshuar 67 aktvendime për ndalim punimesh të objekteve të ndryshme, ndërsa janë përpiluar 8 procesverbale për ekzekutim të objekteve pa leje përkatëse. Sipas drejtorit për Inspektorate, Islam Thaqit, në 7 raste është kërkuar asistim policor.

Kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka ka thënë se komuna ka një marrëveshje me policinë, ndërsa kjo është bërë meqenëse në shumë raste, kur është dashur një intervenim ndaj objekteve pa leje, në momentet e fundit policia nuk ishte ardhur.

“Tash kemi një marrëveshje me policinë, ku ne paguajmë 4-5 policë që të jenë në gatishmëri, sa herë që ka nevojë komuna”, ka thënë ai, përcjell “GazetaePrizrenit.net”.

Burime të konfirmuara, flasin në rastet kur pronarët kanë kundërshtuar inspektorët janë arrestuar nga policia. Në një rast, një person është mbajtur 6 orë në polici.

Drejtori i policisë për rajonin e Prizrenit, Nexhmi Krasniqi ka konfirmuar për portalin “Gazetae Prizrenit.net”, se kjo është realizuar pas një kërkese të bërë në Shtabin qendror të policisë, kur është kërkuar asistim, për  punët sekondare të policisë me inspektoratin e komunës.

“Varësisht nga nevoja komuna kërkon ndihmën e policisë.”, ka thënë ai.

Haskuka, ndërkaq shprehet se në fakt për këtë shërbim nuk duhet paguar, pasi i bie që policia të paguhet dy herë nga taksat tona. “Kjo është gjendja në Kosovë, ne nuk mund të punësojmë polic në komunë, por vetëm ta paguajmë policinë, që të ofrojnë shërbime shtesë”, ka thënë ai. /GazetaePrizrenit.net/

 

Asnjë koment

Comments are closed.