Prizren: Komuna merr në menaxhim hapësirat publike të shfrytëzuara si parkingje nga operatorë të ndryshëm

Komuna e Prizrenit, konkretisht drejtoria e Inspektorateve po ekzekuton vendimin e sektorit të pronës për marrje në menaxhim të hapësirave publike, të cilat janë shfrytëzuar për parkingje nga operatorë të ndryshëm. Drejtori i Inspektorateve, Islam Thaçi, tha se aksioni për zbatimin e këtij vendimi ka filluar javën e kaluar, dhe se sipas tij, deri më tani janë liruar rreth 80 % të parkingjeve apo hapësirave publike të cilat janë shfrytëzuar nga operatorë të ndryshëm, të cilët nuk i kanë lëshuar ato pas skadimit të kontratës, dhe se jemi në proces të këtij vendimi që hapësirat në fjalë t’i kthehen në menaxhim komunës.

Ai tha më tej se, arsyeja e marrjes së këtij vendimi nga organet kompetente komunale tha se nuk ka asnjë bazë ligjore për vazhdimin e mëtejmë të kontratave për shfrytëzim të këtyre operatorëve, të cilët gjithashtu nuk janë larguar vullnetarisht nga këto hapësira si dhe për shkak të mospërmbushjes së obligimeve të tyre ndaj komunës.

Thaçi tha më tej se, lidhur me këtë çështje rreth fatit të këtyre hapësirave, është kompetencë e kryetarit të komunës, Mytaher Haskuka. Drejtori Thaçi krejt në fund , apeloi tek qytetarët se në rast se iu kërkohet që të paguajnë për parkimin e veturave në këto hapësira, ata të lajmërojnë policinë apo Qendrën e Thirrjeve “ Alo, komuna”, sepse nuk janë të obliguar për një gjë të tillë. Disa nga parkingjet në afërsi të sheshit “ Shatërvan” dhe tek “Shtëpia e Bardhë”, tashmë janë liruar dhe sipas drejtorit Thaçi, deri në fund të javës së ardhshme, edhe hapësirat tjera pritet të lirohen dhe të menaxhohen nga komuna./tvprizreni